Felix Nmecha, mesfushori i Borussia Dortmund, është kthyer në një nga futbollistët më të kërkuar në merkato, teksa disa prej klubeve më të mëdha në Evropë po e ndjekin me vëmendje situatën e tij.
Sky Sport Germany raporton se Manchester United ka rritur përpjekjet për të siguruar transferimin e 25-vjeçarit, ndonëse klubi anglez nuk është i vetmi që po interesohet për të.
Të lidhura
None found
Forma shumë e mirë e Nmechas është vënë re si te Dortmundi në Bundesliga, ashtu edhe me përfaqësuesen e Gjermanisë në Kupën e Botës. Ai realizoi kundër Curaçaos dhe dha asistin për golin vendimtar të Deniz Undav në fitoren 2-1 ndaj Bregut të Fildishtë, paraqitje që kanë shtuar edhe më shumë interesin për të.
Sipas Sky Sports, Christopher Vivell, drejtori i departamentit të skautimit te Manchester United, po mban kontakte të vazhdueshme me njerëzit pranë mesfushorit gjerman. Megjithatë, “Djajtë e Kuq” nuk janë vetëm në këtë garë, pasi edhe Manchester City, Liverpool dhe Real Madrid po e monitorojnë nga afër.
Megjithëse interesimi është i madh, një lëvizje gjatë kësaj vere shihet si e vështirë. Në muajin mars, Nmecha e zgjati kontratën me Borussia Dortmund deri në vitin 2030, ndërsa marrëveshja nuk ka klauzolë largimi.
Klubi gjerman e vlerëson atë si një element thelbësor të skuadrës. Kjo ishte bërë e ditur edhe nga drejtori sportiv Lars Ricken, i cili në fund të muajit maj u shpreh se Nmecha është një prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit.
Pikërisht për këtë arsye, Borussia Dortmund gjendet në një pozicion të fortë në çdo bisedim të mundshëm dhe do të merrte në konsideratë vetëm oferta shumë të larta financiare për të lejuar largimin e mesfushorit gjerman.
