Liverpooli pritet të hapë bisedimet me Alexis Mac Allisterin për rinovimin e kontratës, me synimin që ta mbajë mesfushorin për një periudhë afatgjatë në “Anfield”.
Të lidhura
None found
Sipas CaughtOffside, drejtuesit e klubit dëshirojnë t’ia bëjnë të qartë argjentinasit rolin e tij të rëndësishëm në projektin e Liverpoolit, sidomos pas interesimit nga disa prej skuadrave më të mëdha në Evropë dhe në Ligën Premier.
Real Madridi dhe Tottenham Hotspur po e ndjekin situatën e 27-vjeçarit, ndërsa gjatë javëve të fundit raportohet se kontakte kanë pasur edhe Chelsea dhe Manchester City.
Deri më tani, përfaqësuesit e Mac Allisterit i kanë refuzuar të gjitha qasjet. Më herët, edhe babai i futbollistit kishte theksuar se mesfushori nuk po e konsideronte largimin nga Liverpooli.
Vlerësimi i “Të Kuqve” për lojtarin është shumë i lartë. Raportimet bëjnë të ditur se në korrik klubi kishte caktuar një çmim prej 100 milionë eurosh për çdo largim të mundshëm të tij.
Mac Allister u transferua nga Brightoni te Liverpooli në vitin 2023 për 42 milionë euro. Që prej atij momenti, ai është kthyer në një nga futbollistët kryesorë si për skuadrën angleze, ashtu edhe për Kombëtaren e Argjentinës.
Kontrata e tij aktuale ka edhe dy vite vlefshmëri, por Liverpooli synon që më vonë gjatë këtij viti të fillojë negociatat për një marrëveshje të përmirësuar.
Pas një sezoni zhgënjyes, klubi anglez kërkon të rikthehet më i fortë dhe nuk dëshiron të humbasë një tjetër element të rëndësishëm të repartit të mesfushës.
