Refuzimi i Montader Madjed për t’u bashkuar me përfaqësuesen e Irakut ka sjellë një kërcënim me ekzekutim nga Adi al-Rubaie, anëtar i bordit drejtues të Al-Shorta. Zyrtari iu drejtua sulmuesit 21-vjeçar të Hammarbyt gjatë një emisioni televiziv në Irak, pasi lojtari vendosi të mos paraqitej në grumbullimin e pushimit të ardhshëm ndërkombëtar.
Sipas mediumit gjerman t-online, al-Rubaie tha se do të ekzekutonte këdo që nuk respektonte emrin e vendit të tij. I pyetur nga moderatori nëse po e tepronte me këtë qëndrim, ai këmbënguli se reagimi i tij nuk ishte i tepruar. Mediat suedeze raportojnë gjithashtu se zyrtari mendon që Madjed nuk duhet të veshë më kurrë fanellën e Kombëtares së Irakut.
Të lidhura
None found
Pas reagimeve të forta që shkaktoi kërcënimi, Federata Irakiane e Futbollit dënoi ashpër gjuhën e zyrtarit. Ahmed Al-Falluji, përgjegjës në federatë për futbollistët me shtetësi të dyfishtë, e quajti deklaratën të neveritshme dhe kërkoi ndjekjen e rrugëve ligjore ndaj autorit të saj. Këtë qëndrim ai e shprehu për mediumin suedez Swed24.
Raportet e Madjedit me përfaqësuesen irakiane janë shoqëruar me tensione që prej fillimit të vitit. Përpara se të zgjidhte Irakun në vitin 2023, sulmuesi kishte përfaqësuar Suedinë në ekipet e grupmoshave.
Tensionet u thelluan pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje, në të cilën disa persona të afërt me futbollistin talleshin me kombëtaren irakiane. Më pas, në një prononcim për televizionin suedez SVT, Madjed pranoi se kishte bërë disa gabime. Pas kësaj ngjarjeje, ai mbeti jashtë skuadrës së Irakut për Kupën e Botës.
Madjed kishte treguar më herët për Fotbollskanalen se situata e tij me kombëtaren irakiane ishte e vështirë dhe se çështja mbetej ende e pasqaruar. Deri tani, as futbollisti dhe as Hammarby nuk kanë dhënë një reagim publik për kërcënimin.







