Ish-lojtari i Man United shënon gol të jashtëzakonshëm nga 40 metra në Kupën e Kombeve të Afrikës

Ish-sulmuesi i Manchester United, Bebe, ka shënuar një gol të jashtëzakonshëm nga gjuajtja e lirë në Kupën e Kombeve të Afrikës.

33-vjeçari i cili ka lindur në Portugali, ishte pjesë e formacionit startues për kombëtaren e Cape Verdes në duelin ndaj Mozambikut, në atë që ishte ndeshja e dytë e tyre në fazën e grupeve.

Në minutën e 32-të, Cape Verde fitoi një gjuajtje të lirë nga një distancë prej 40 metrave, të cilën e mori përsipër ta ekzekutonte Bebe.

Ndonëse askush nuk mundi ta besonte në pamje të parë, gjuajtja e tij fantastike ishte e pandalshme për portierin e Mozambikut, Ernan.

Shpejtësia e madhe e topit bëri që ai të mos kishte asnjë mundësi të reagonte dhe kësisoj topi përfundoi në rrjetë.

Bebe ka pasur një karrierë jashtëzakonisht të pasur, teksa gjatë viteve ka luajtur për ekipe të ndryshme, ku vlen pra të theksohet koha e tij tek Manchester United.

Ai luajti në Angli përgjatë viteve 2010-2014, mirëpo nuk arriti që të lë shenja dhe për këtë arsye sot e kësaj dite llogaritet si një ndër transferimet më të dështuara të “Djajve të Kuq”. /Telegrafi/


Shtuar 19.01.2024 16:58