Reklama e Apple-it që shpërlau trurin e Amerikës!

Dyzet vjet më parë, Ridley Scott e realizoi një reklamë oruelliane që premtonte çlirimin e masave … përmes teknologjisë!

Ridley Scott ishte i hutuar. Në vitin 1983 iu kërkua të bënte një reklamë për një kompjuter të ri Apple që do të lansohej në vitin e ardhshëm. Mendoi se Apple kishte të bënte me [grupin] Beatles. Chiat/Day, firma e atëhershme e marrëdhënieve me publikun e Apple-it, e siguroi regjisorin britanik të filmit se ky ishte një Apple më ndryshe. “Thanë, ‘jo, jo, jo. Apple është ky djalë i quajtur Steve Jobs”, kujton Scott. “Thash, ‘kush m… është Steve Jobs’”?

Scott u çmua si regjisori i dy filmave të shkëlqyeshëm distopian, Alien (1979) dhe Blade Runner (1982), si dhe forca krijuese pas reklamave për [prodhuesin e miellit] Hovis-in dhe [parfumin] Chanel no 5.

Nuk është çudi pse Apple donte që regjisori i lindur në Sauth-Shilds [të Anglisë] të hidhte – në kompjuterin e tyre të ri – diçka nga pluhuri i tij magjik. Donin të ndihmonte në shpërndarjen e fantazisë së Apple Mac-it si pajisje që ndryshon lojën, që të çliron dhe që është i domosdoshëm për ta pasur në shtëpi ose në zyrë.

Scott e lexoi skenarin për reklamën e Apple-it me hutim të shtuar. Skena, kuptoi ai, varej nga historia e romanit të George Orwellit – 1984. Por, diçka mungonte: nuk përmendej produkti. “O Zot [thash]. Nuk thonë çfarë është [Mac]; nuk tregojnë çfarë është”, tha Scott për Hollywood Reporter. “Nuk tregojnë as çfarë bën. Ishte reklamë si formë arti. Ishte efektive”.

Scotti po tregohet modest. Reklama ishte e efektshme për shkak të realizimit të tij të guximshëm të skenarit që u transmetua në televizionet amerikane – si reklamë 60 prej sekondave për pjesën e parë të kampionatit të ragbit [Super Bowl] të vitit 1984.

Në veprën e përfunduar, punëtorët e zymtë ulen në një sallë të madhe gri përpara një ekrani të madh. Scotti me zgjuarsi i punësoi këta statistë nga komuniteti i skinhedëve të Britanisë – ata patjetër që e japin aurën e asaj turme të të shtypurve të cilët asnjë person i arsyeshëm nuk do t’i ftonte për çaj.


Shtuar 19.01.2024 16:18