Ish-futbollisti i Liverpool dhe Real Madrid tregon pse Xaabi Alonso refuzoi për të marr drejtimin e Reds

Ish futbollisti i Liverpoolit dhe Real Madridit, Steve McManaman ka treguar në një intervistë për mediat angleze se Xabi Alonso nuk dëshiron ta pasojë Jurgen Klopp në bankinën e The Reds sezonin e ardhshëm, sepse dëshira e tij e vetme është të drejtojë Real Madridin.

Alonso, i cili bëri një mrekulli me Bayer Leverkusen këtë sezon, së fundmi e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të drejtojë Liverpoolin dhe ish-reprezentuesi anglez zbuloi planet e spanjollit.

“Nuk mund të them me siguri, por puna në Real Madrid është prioriteti i Xabit. Xabi ka asete në Madrid dhe një histori të gjatë me klubin. Nëse Carlo Ancelotti largohet vitin e ardhshëm, do të jetë një vit tjetër që Xabi të fitojë përvojën e nevojshme. Nga kjo lëvizje nuk do të habitesha fare”, ka thënë McManaman.

Në një intervistë të fundit për TNT Sports, Xabi Alonso shpjegoi arsyet pse ai refuzoi Bayern Munich dhe Liverpool dhe vendosi të qëndrojë në Bayer Leverkusen.

“Kam shumë arsye për këtë vendim. Ne po ndërtojmë një frymë të madhe ekipore këtu. Ka shumë arsye dhe shumë lojtarë që më bëjnë të dëshiroj të qëndroj. Ky sezon ka qenë i mrekullueshëm deri më tani. Megjithatë, të gjithë jemi të vetëdijshëm se duam të vazhdojmë së bashku, ndihem si pjesë e klubit pas një viti, nuk është koha e duhur”, deklaroi Xabi.

Ndërkohë Liverpooli i është drejtuar trajnerit të Sportingut, Ruben Amorim, i cili aktualisht është zgjedhja e parë për klubin nga “Anfield Road”.

Xabi Alonso ka luajtur te real Sociedad, Liverpool, Real Madrid dhe Bayern Munich. /Telegrafi/


Shtuar 13.04.2024 17:53