Prishtina siguroi një triumf të rëndësishëm në transfertë ndaj Ballkanit, duke fituar 0-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 10-të të Superligës së Kosovës.
Të lidhura
None found
Ekipi “bardhëkaltër” arriti të merrte tri pikët, pavarësisht se nga minuta e 76-të luajti me dhjetë futbollistë, pas ndëshkimit të Diar Halilit me kartonin e dytë të verdhë.
Rin Ahmeti shënoi golin vendimtar në minutën e 49-të, pas pasimit të Leotrim Kryeziut. Fillimisht, realizimi u anulua, por ndërhyrja e VAR-it ndryshoi vendimin dhe goli u konfirmua.
Me këtë rezultat, Prishtina ngjitet në vendin e dytë të renditjes me 23 pikë, po aq sa edhe Malisheva kryesuese. Ballkani, ndërkohë, qëndron në pozitën e gjashtë me 13 pikë.
Pas vërshëllimës së fundit, megjithatë, ndodhi një incident i pakëndshëm. Telegrafi raporton se disa tifozë të revoltuar të Ballkanit sulmuan në tribuna një futbollist të ri të Prishtinës, i cili nuk kishte marrë pjesë në ndeshje.
Lojtari, emri i të cilit është i njohur për redaksinë, u godit me grusht, duke lënë në hije atmosferën sportive të krijuar gjatë përballjes në fushë.
Pakënaqësia për humbjen nuk mund të justifikojë përdorimin e dhunës ndaj futbollistëve. Një sjellje e tillë, veçanërisht ndaj një lojtari të skuadrës kundërshtare, është e papranueshme dhe nuk i përket futbollit.
Gjendja u vu nën kontroll pasi disa zyrtarë të klubit nga kryeqyteti ndërhynë për ta qetësuar situatën.







