Barcelona mund të ndërhyjë sërish në merkato përpara përfundimit të afatit kalimtar të verës, pasi trajneri Hansi Flick ka pranuar se skuadra mund të ketë nevojë për përforcime të tjera.
Të lidhura
None found
Katalanasit e mbyllën fazën përgatitore me një triumf të thellë 5-2 ndaj Baselit. Megjithatë, pavarësisht paraqitjes pozitive, Flick la të kuptohet se ende mund të ketë hapësirë për përmirësime në ekip.
“Mund të na mungojë diçka, do ta shohim gjatë kësaj jave”, deklaroi trajneri.
Ai shtoi se fokusi kryesor mbetet ruajtja e standardit të arritur sezonin e kaluar, ndërsa ndeshjen ndaj Baselit e cilësoi si një provë të vlefshme përpara fillimit të garës.
“E rëndësishme është të punojmë shumë për ta ruajtur nivelin e sezonit të kaluar. Ndeshja e së dielës ishte një test i mirë për ne. Tashmë jemi duke u përgatitur për ndeshjen ndaj Elches dhe nuk është një detyrë e thjeshtë, pasi kemi lojtarë që janë bashkuar me ekipin vetëm së fundmi”, u shpreh ai.
Flick vlerëson se Barcelona e ka gatishmërinë e nevojshme për nisjen e sezonit, por beson se skuadra do të bëhet edhe më e fortë gjatë javëve të ardhshme.
“Skuadra është gati të nisë garën. Kemi lojtarë të mëdhenj dhe do të përmirësohemi edhe më shumë”.
Barcelona është përfolur gjatë javëve të fundit për një transferim të mundshëm të Rodrit nga Manchester City, ndërsa Julian Alvarez konsiderohet një tjetër objektiv i rëndësishëm i klubit katalanas.
Negociatat për Rodrin vijojnë, ndërsa afrimi i Alvarez paraqitet më i vështirë për shkak të qëndrimit të Atletico Madridit.
