Dy takime të rëndësishme luhen sot, e shtunë, në vazhdim të xhiros së 13-të të Albi Mall Superligës së Kosovës. Përballjet pritet të sjellin rivalitet dhe emocione, me skuadrat që kërkojnë pikë për objektivat e tyre dhe për të mbrojtur vendet në pjesën e sipërme të renditjes.
Interesimi përqendrohet në Gjilan, ku vendasit do të presin Malishevën në stadiumin me bar artificial. Kjo sfidë nis në orën 16:00.
Të lidhura
None found
Me 27 pikë, Malisheva udhëton si skuadra e vendit të dytë, vetëm dy pikë pas Prishtinës kryesuese. Ekipi nga “Liman Gegaj”, ndër më të qëndrueshmit e këtij edicioni, synon fitoren pas barazimit pa gola me Feronikelin ’74, për të mos vënë në rrezik pozicionin e vet në garën për kreun.
Gjilani, ndërkohë, vjen nga rezultati 1-1 përballë Dukagjinit dhe kërkon të gjejë sërish rrugën e fitores, duke mbetur në garë në pjesën e sipërme të tabelës. Skuadra gjilanase numëron 19 pikë dhe një sukses ndaj një rivali të drejtpërdrejtë në renditje do t’i mundësonte një hap të rëndësishëm përpara.
Programi i së shtunës hapet në orën 13:00 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” të Drenasit, ku Feronikeli ’74 do të luajë si pritës ndaj Ballkanit.
Ballkani shkon në këtë përballje me besim të shtuar nga triumfi i thellë 4-0 kundër Drenicës në xhiron e kaluar. Me 19 pikë në llogari, therandasit kërkojnë të ngjiten më tej në klasifikim dhe të mos u japin mundësi rivalëve të shkëputen.
Për vendasit, që kanë marrë 12 pikë nga 12 ndeshje dhe ndodhen në pjesën e poshtme të renditjes, çdo pikë ka peshë të veçantë në këtë fazë të kampionatit. Pas barazimit pa gola me Malishevën, Feronikeli ’74 synon ta kthejë avantazhin e fushës në një rezultat pozitiv.
Xhiroja e 13-të mbyllet të dielën me dy përballje, të dyja në orën 13:00. Vushtrria do të presë Prishtinën në “Rexhep Rexhepi” të Drenasit, ndërsa Drenica do të ndeshet me Dritën në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.








