FIFA ka vendosur pezullimin e Jarell Quansahut për dy ndeshje, pas kartonit të kuq që ai mori në suksesin e Anglisë ndaj Meksikës në 1/8 e finales së Kupës së Botës.
Të lidhura
None found
Vendimi ndaj mbrojtësit erdhi pasi ai u konsiderua në shkelje të nenit 14 të kodit disiplinor të FIFA-s, i cili parashikon një dënim me dy ndeshje për raste të lojës së ashpër dhe ndërhyrjeve serioze.
Quansah u largua nga fusha pas ndërhyrjes së VAR-it, për shkak të një rrëshqitjeje të rrezikshme, ku takat e tij goditën pjesën e poshtme të këmbës së Jesus Gallardos.
Në fillim, Anglia po mendonte të apelonte vendimin, sidomos duke pasur parasysh rastin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun, të cilit FIFA i hoqi pezullimin prej një ndeshjeje pas presionit të madh publik dhe ndërhyrjeve politike në SHBA.
Por për “Tre Luanët” lajmi rezultoi edhe më negativ, pasi FIFA vendosi që ndëshkimi i Quansahut të mos mbetej në një ndeshje, por të zgjatej në dy.
Kjo do të bëjë që mbrojtësi i Bayer Leverkusenit të mungojë në çerekfinalen e së shtunës kundër Norvegjisë, si edhe në një gjysmëfinale të mundshme ndaj Argjentinës ose Zvicrës.
I vetmi skenar që Quansah të rikthehet në lojë mbetet finalja, në rast se Anglia arrin ta sigurojë atë fazë.
Vendimi i FIFA-s vjen në një moment të mbushur me polemika, pasi organizata e futbollit botëror ishte vënë nën kritika të forta për anulimin e pezullimit të Folarin Balogunit para sfidës së SHBA-së me Belgjikën, takim që amerikanët e humbën 4-1.
Më parë, FIFA ishte përballur gjithashtu me kritika për mungesën e një mekanizmi të qartë apelimi për kartonët e kuq në Kupën e Botës.//
