Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës U21, Faton Ademi, do ta vazhdojë karrierën në Gjermani, pasi është transferuar zyrtarisht te Greuther Fürth.
Skuadra gjermane ka konfirmuar marrëveshjen me 20-vjeçarin, i cili vjen nga Alemannia Aachen. Ademi ka firmosur kontratë deri në vitin 2029, me opsion zgjatjeje për një sezon, ndërsa Greuther Fürth ka paguar mbi 1 milion euro për kartonin e tij.
Të lidhura
None found
Futbollisti kosovar është cilësuar si një prej talenteve me zhvillimin më të madh në futbollin e Kosovës. Ai e bëri debutimin në Ligën e Tretë të Gjermanisë para dy vitesh, ndërsa në sezonin e kaluar fitoi një rol të rëndësishëm në formacionin e parë të Alemannia Aachen.
Gjatë kësaj periudhe, mesfushori ka regjistruar 41 ndeshje në kategorinë e tretë të futbollit gjerman, ku ka shënuar shtatë gola dhe ka dhënë dy asistime.
Ademi ka mirëpritur kalimin te klubi i ri, duke vlerësuar interesimin dhe angazhimin e drejtuesve të Greuther Fürth për ta bërë të mundur transferimin.
“Fürth është përpjekur prej kohësh për mua. E kam ndier se sa shumë përpjekje kanë bërë drejtuesit për të më sjellë këtu. Kjo më jep një ndjenjë shumë të mirë dhe shumë motivim për të vazhduar zhvillimin tim dhe për të dhënë të gjithë energjinë për ekipin dhe klubin”, ka deklaruar Ademi.
20-vjeçari është pjesë e Kosovës U21 dhe ky transferim përfaqëson një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e tij.
Ai pritet t’i bashkohet menjëherë skuadrës së Greuther Fürth, ku do të luajë me fanellën me numrin 37.
