E ardhmja e Edi Martinit në drejtimin e Vllaznisë duket gjithnjë e më e pasigurt. Në Shkodër pritet që klubi të vendosë së shpejti për trajnerin, pasi kuqeblutë nuk kanë arritur të fitojnë në pesë javët e para të sezonit, duke rritur presionin mbi stafin teknik.
Të lidhura
None found
Gjatë ndërprerjes së kampionatit, drejtuesit e klubit po vlerësojnë situatën dhe po përcaktojnë veprimet e radhës. Ndryshimi i trajnerit shihet si një alternativë reale dhe, nëse largimi i Martinit konfirmohet, Vllaznia do ta vijojë kampionatin me një drejtues të ri në stol, me objektivin për të rikuperuar pas rezultateve zhgënjyese.
Një nga emrat që po shqyrtohet është Zekirija Ramadani, trajneri shqiptar nga Shkupi, i cili ka eksperiencë në futbollin rajonal dhe ka drejtuar më parë Dritën. Me skuadrën kosovare, Ramadani u shpall kampion në Kosovë. Megjithatë, asgjë nuk është zyrtarizuar ende dhe ditët në vijim pritet të tregojnë nëse Martini do të largohet, si edhe kush do të marrë drejtimin e ekipit shkodran.
