David Domgjoni është një nga futbollistët kosovarë me përvojë të gjerë ndërkombëtare. Mbrojtësi ka luajtur në Kosovë, Shqipëri, Turqi, Zvicër, Poloni, Kazakistan dhe Izrael, ndërsa aktualisht aktivizohet te Kapaz në Azerbajxhan.
Të lidhura
None found
Eksperienca e tij në futbollin izraelit lidhet me skuadrën Hapoel Jerusalem. Domgjoni u largua nga Izraeli për shkak të situatës së luftës, por periudha e kaluar atje i ka shërbyer për të njohur nga afër kampionatin dhe futbollistët izraelitë.
Me fanellën e Kosovës, mbrojtësi numëron tri paraqitje. Në vitin 2021, gjatë drejtimit të Bernard Challandes, ai ishte pjesë e pesë grumbullimeve të përfaqësueses. Domgjoni luajti nga 90 minuta në miqësoret kundër Guinesë dhe Gambisë, ndërsa në ndeshjen zyrtare ndaj Suedisë u aktivizua për 17 minuta në humbjen 3-0.
Duke u nisur nga njohja e tij me futbollin izraelit dhe përvoja si ish-pjesëtar i Kosovës, Domgjoni ka dhënë një vlerësim për Telegrafin para sfidës Izrael–Kosovë, që do të zhvillohet të enjten në kuadër të Ligës së Kombeve.
Ai e cilëson periudhën në Izrael si pozitive në aspektin profesional, duke nënvizuar se bëhet fjalë për një kampionat të fortë dhe cilësor. Megjithatë, Domgjoni ka pranuar se gjendja e luftës ishte shqetësuese gjatë qëndrimit të tij atje. Sipas tij, ligat e Izraelit kanë diferenca të mëdha me ato të Kosovës dhe Shqipërisë, pasi klubet izraelite disponojnë buxhete më të larta dhe lojtarë më cilësorë.
Sa i përket përfaqësueseve, mbrojtësi nuk mendon se ekziston i njëjti hendek. Përkundrazi, ai beson se Kosova ka një ekip më të mirë dhe mundësi reale për ta fituar përballjen.
Domgjoni thekson se ndeshja do të luhet në Hungari, pra jashtë Izraelit, dhe beson se tifozët kosovarë do të jenë të pranishëm në numër të madh. Për të, mbështetja e tyre në çdo cep të botës, edhe në këtë rast në Hungari, përbën një armë të rëndësishme për ekipin. Ai është shprehur optimist se Kosova do ta gjejë rrugën drejt fitores.
Domgjoni ka veçuar edhe dy futbollistë të Izraelit që i konsideron më të rrezikshëm: mesfushorin Dor Peretz dhe Manor Solomon.
Për Peretzin, ai vlerëson forcën fizike, lojën në ajër dhe rrezikshmërinë në goditjet standarde. Sipas Domgjonit, lëvizjet mes linjave janë një tjetër pikë e fortë e mesfushorit, i cili, pavarësisht rolit të tij, ka nuhatje të mirë për golin.
Ndërsa për Solomonin, Domgjoni veçon aftësinë në driblime dhe rrezikun që paraqet në duelet një kundër një. Ai ka treguar se gjatë kohës në Izrael ka ndjekur edhe ndeshjet e Kombëtares së këtij vendi, pasi disa prej lojtarëve të saj aktivizoheshin në kampionatin izraelit.
Në fund, Domgjoni nuk dha një këshillë të veçantë për mënyrën e përballimit të Izraelit, pasi ka besim te përgatitja e stafit dhe skuadrës. Ai tha se i ndjek të gjitha ndeshjet dhe është i kënaqur me rritjen e ndjeshme të Kosovës në vitet e fundit, duke i uruar ekipit sukses dhe fat në këtë ndeshje dhe në sfidat e tjera, me shpresën se do t’i përmbushë objektivat.
Kosova dhe Izraeli do të përballen për herë të tretë. Në dy takimet e mëparshme, Dardanët kanë regjistruar një fitore dhe një barazim.
