Egnatia regjistroi fitoren e dytë në kampionat, pasi mposhti 2-1 Skënderbeun në “Arena Egnatia”, në takimin e javës së tretë të “Abissnet Superiore”. Pas ndeshjes, trajneri Nevil Dede vlerësoi reagimin e ekipit, tri pikët dhe rezultatin, ndërsa pranoi se skuadra shfaqi nervozizëm në disa momente.
Të lidhura
None found
“E dinim që do të ishte një përballje e luftuar, sidomos duke parë paraqitjet e Skënderbeut ndaj Vllaznisë dhe Dinamos. Megjithatë, rëndësi kanë reagimi i skuadrës, pikët dhe fitorja. Nervozizmi ynë mund të jetë shkaktuar edhe nga mungesa e përqendrimit te dy penalltitë. Në pushim fola me lojtarët, por në disa raste e teprojmë me reagimet”, u shpreh Dede.
Trajneri i Egnatias kërkoi falje për sjelljen e ekipit dhe theksoi se një moment pa avantazh nuk duhet të shkaktojë panik. “Si trajner kërkoj ndjesë, sepse nuk kemi pse të sillemi në atë mënyrë. Nuk është fundi i botës kur nuk jemi në epërsi. Kemi luajtur në Evropë dhe po marrim rezultate në kampionat, por sezoni është një maratonë e gjatë. Do të vijnë edhe kartonët e pezullimet. Shpresoj që Bitri dhe Fernando të jenë mirë, pasi për mua janë po aq të rëndësishëm sa çdo lojtar tjetër”, tha ai.
Duke folur për gabimet në pasime dhe vështirësinë e sfidës, Dede theksoi ngarkesën e kalendarit dhe cilësitë e Bismarkut. “Pesë ndeshje në 15 ditë nuk janë pak dhe brenda vetes e konsideroja këtë një ndeshje të vështirë. E dija se cilësitë e Bismarkut do të na krijonin probleme. Gjithsesi, për sa kohë fituam, mendoj se mbrojtësit tanë u përgjigjën mirë. Pasimet e gabuara, ashtu si edhe situatat e penalltive, ishin të shumta. Nuk dua t’ia atribuoj gjithçka vetëm lodhjes, por një ndeshje duhet luftuar, duam apo s’duam”, deklaroi trajneri.
Dede vlerësoi ndikimin e Loukilit dhe bashkëpunimin me Smajlin, ndërsa shpjegoi edhe zgjedhjen për të mbajtur një bllok të mesëm. “Loukili na dha shumë oksigjen. Ky ishte plani, që ai të na ofronte thellësi dhe frymëmarrje. Çifti me Smajlin ishte karta jonë fituese. Për shkak të konsumimit të energjive zgjodha një bllok të mesëm dhe jo mbrojtjen e lartë. E komplimentoj mënyrën se si luan Skënderbeu; kur ndërtonin aksionet, niseshin menjëherë. Me cilësitë e lojtarëve që kemi, besoj se kjo ishte zgjedhja e duhur për sot. Nuk dua të nxjerr përfundime tani. Fillimisht dua ta shoh ekipin të çlodhur dhe më pas të vendosim se si do të sillemi”, tha ai.
Për paraqitjen e Albaneses, trajneri theksoi se italiani po demonstron aftësitë e tij, veçanërisht në rolin e një lojtari të lirë në qendër. “Më vjen mirë për Albanesen. Ndikimi im te ai ka qenë që ta përdor si lojtar të lirë, i cili luan më shumë në linjat qendrore. Sot, në disa raste, u zhvendos edhe majtas dhe na dha alternativa. Për nga cilësitë dhe niveli, Albanese është një numër 10 i mirëfilltë. Kemi pasur mungesa në mesfushë e në mbrojtje dhe konfigurimi ynë nuk ka qenë i qëndrueshëm. Mendoj se kualiteti i Albaneses, së bashku me mbështetjen e të tjerëve, po jep rezultat. Shpresoj dhe shfrytëzoj rastin të them se Kryeziu të mos ketë ndonjë shqetësim të madh. Nuk dua të mburrem apo të them se Albanese po luan mirë prej meje, por ai po tregon kapacitetin që ka”, përfundoi Dede.
