De Biazi i bindur: Shqipëria shkon në europian

Xhani De Biazi do të mbetet gjithmonë në historinë e futbollit shqiptar, si ai që drejtoi Kombëtaren shqiptare në kualifikimin historik në Euro 2016. Një kualifikim i parë, që shumë shpejt mund të përsëritet nga kuqezinjtë me Silvinjon në krye.

Edhe vetë ish-trajneri i kuqezinjve është i bindur se historia do të përsëriet, siç e ka shpjeguar për se si e sheh Shqipërinë aktuale dhe ku ndryshonte ajo nga skuadra e cila shkroi historinë në Francë.

“Eksperienca ime me kombëtaren azere le të themi që po shkon mirë, po rritemi shumë. Është e qartë që kemi disa vështirësi strukturore të lidhura me një cilësi shumë të ulët futbollistësh në nivlet e larta. Kemi një kampionat me shumë skuadra, të mbushura me futbollistë të huaj, kjo qartësisht nuk ndihmon detyrën e një kombëtareje.

Por sa i përket rezultateve të kombëtares shqiptare, jam shumë i lumtur se përtej pasaportës që kam, mbetem i lidhur me një komb i cili më ka dhënë shumë dhe që mendoj se i kam dhënë gjithçka që kisha. Kemi arritur të bëjmë diçka të pabesueshme dhe kjo është gjëja që më mbush më shumë me krenari, se të shohësh nga ku u nisëm dhe si ia dolëm të arrinim një ëndërr rishte diçka entuziazmuese.

Unë besoj dhe shpresoj se kombëtarja shqiptare të jetë në Europianin e ardhshëm në Gjermani, në fakt nuk kam asnjë dyshim rreth kësaj gjëje. Ndeshja kyç do të jetë ajo ndaj Republikës Çeke se pastaj rrugëtimi është më i thjeshtë me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Mendoj se Shqipëria ka gjithçka që duhet për ta mbyllur edhe e para në grup.

Ndryshimi mes dy periudhave? Nuk është e lehtë të krahasosh dy realitete, skuadra ime që shkoi ne Europian dhe kjo e sotmja. Kjo aktuale është më e pasur me lojtarë me cilësi, me lojtarë që kanë eksperienca ndërkombëtare të rëndësishme në klube të mëdha dhe mendoj se ky është aspekti kryesor që i jep cilësi kësaj skuadre. Skuadra jonë ishte me pak lojtarë që luanin në klube të mëdha. Në Serinë A luante vetëm Cana kur mbërrita unë, më pas erdhën me radhë Hysaj, Berisha, Basha, por edhe pak të tjerë. Pjesa tjetër ishin lojtarë që luanin në kampionatin zviceran e jo më shumë”, tregoi De Biazi në fjalët e tij.


Shtuar 9.10.2023 22:52