Calhanoglu: Nuk jam as i pari dhe as i fundit që lë Milanin për Interin

Hakan Calhanoglu mund të konsiderohet pa frikë si goditja e madhe e Interit në këtë merkato verore. Mesfushori turk tradhëtoi Milanin duke u transferuar pikërisht te zikaltrit pasi vendosi të mos rinovonte kontratën me kuqezinjtë. Prej pak ditësh Calhanoglu ka përfunduar pushimet dhe është vendosur nën urdhrat e Simone Inzaghit. Në një nga intervistat e tij të para si futbollist i Interit 27-vjeçari shpjegoi edhe arsyet se përse la Milanin për Interin.

“Ausilio dhe Inzaghi më telefonuan dhe gjithçka ndodhi shumë shpejt. Nuk jam i pari dhe nuk do jem as i fundit që shkoj nga Milani te Interi. Doja të bëja një hap përpara dhe kam respekt të madh për Milanin. Pastaj tifozët bëjnë zhurmë, është normale”.

Vlerësimet e Hakan Calhanoglu për trajnerin aktual të Milanit Stefano Pioli nuk mungojnë pasi sipas turkut, tekniku i kuqezinjëve ka luajtur një rol të madh në rritjen e tij si futbollist dhe ishte ndër të vetmit që dëshironte ta mbante me çdo kusht te Milani.

“Pioli bëri punë të mrekullueshme, më la të luaj në rolin tim, prandaj krijova aq shumë raste dhe dhashë asiste. Duhet ta falënderoj me të vërtetë atë, ai është i vetmi që donte të më mbante. Kemi biseduar shumë herë, por më pas ai respektoi vendimin tim dhe më uroi. Inzaghi te Lazio luajti me Luis Alberton në rolin tim dhe ne jemi lojtarë mjaft të ngjashëm. Më pëlqen vëmendja e tij, sesi flet me mua dhe si më bën të ndihem”.

Në fund Calhanoglu foli edhe për dyshen sulmuese të zikaltërve Lukaku-Lautaro, për Christian Eriksen dhe për numrin që do të mbajë mbi shpinë në aventurën e tij me Interin.

Lukaku dhe Lautaro presin asistet e mija? Mezi po pres momentin për të luajtur me ta, fillimisht duhet të njihemi dhe më pas të argëtohemi në fushë. Eriksen? Kam respekt të madh për të. Më pëlqen shumë si lojtar. E njoh atë përmes Kjaer. Kam folur me Simon, e pyeta për atë që ndodhi. Shpresojmë ta shohim sërish nga afër dhe ta përqafojmë. Numri 20? Unë doja numrin 10, por ajo i përket Lautaros. Kështu që vendosa ta bëj 10+10.″


Shtuar 15.07.2021 15:18