Është vendosur data për ekstradimin nga Londra në Athinë të Florian Markut, kampionit të njohur të boksit, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në kryeqytetin britanik.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se gjykata e ekstradimeve në Londër ka marrë një vendim të ri këtë të premte. Avokatët e Markut kanë kërkuar shtyrjen e datës së ekstradimit me 10 ditë, një kërkesë që është pranuar. Ndërkohë, nuk dihen arsyet e sakta pas kësaj kërkese apo nëse ata planifikojnë të apelojnë vendimin për ekstradimin në Greqi.
Sipas vendimit, Florian Marku pritet të ekstradohet deri më 23 janar. Në një seancë të mëparshme më 7 janar, Marku pranoi vullnetarisht të ekstradohet në Greqi për të përballuar akuzat ndaj tij.
Autoritetet greke e akuzojnë Markun, bazuar në një urdhër arresti europian, për disa vepra penale, përfshirë tentativë vrasjeje, plagosje të rëndë, armëmbajtje pa leje dhe përdorim arme. Këto akuza lidhen me një incident të ndodhur në vitin 2010 në një klub nate në Selanik, ku ai dyshohet të jetë përfshirë në një konflikt me disa shtetas rus dhe të ketë përdorur një armë automatike të tipit kallashnikov.