Klubi katalanas ka fiksuar vlerën e kartonit të Ferran Torresit, në një moment kur Paris Saint-Germain po shfaq interesim të hapur për sulmuesin spanjoll.
Të lidhura
None found
Referuar raportimeve të Sport, të ripërcjella nga Goal, Barça kërkon të paktën 55 milionë euro për të lënë të lirë 26-vjeçarin.
Sipas këtyre burimeve, synimi i Barcelonës mbetet t’i propozojë lojtarit një marrëveshje të re, por pa i rritur pagën aktuale. Megjithatë, nëse vetë Torresi zgjedh të vazhdojë karrierën në kryeqytetin francez, udhëheqësit e blaugranëve nuk do të përfshihen në një luftë financiare për ta mbajtur në skuadër.
Në këto rrethana, Barcelona do të konsideronte seriozisht shitjen e tij gjatë këtij afati kalimtar.
Në kampin tjetër, Paris Saint-Germain po pret momentin e përshtatshëm për të vepruar. Kampionët e Francës mendohet se do të shtojnë përpjekjet sapo të mbyllet zyrtarisht kalimi i Randal Kolo Muanit te Juventusi.
Gjithsesi, drejtuesit parisienë nuk kanë ndërmend të depozitojnë një ofertë konkrete pa siguruar më parë një sinjal miratimi nga ana e vetë Torresit.
Ish-sulmuesi i Manchester Cityt vijon të jetë në qendër të thashethemeve në këto ditë të fundit të merkatos, ndërsa e ardhmja e tij do të sqarohet vetëm pasi të merret një vendim përfundimtar për qëndrimin ose largimin nga klubi katalanas.
