Arthur me probleme në këmbë, rrezikon operacionin

Braziliani Arthur është shndërruar në një çështje te Juventusi. Futbollisti i ardhur nga Barcelona, në operacionin që çoi në “Camp Nou” Miralem Pjanic, nuk ka bindur aspak me performancat e tij në Serinë A dhe së fundi humbi edhe vendin e titullarit në formacionin e Pirlos.

Së fundi për brazilianin ka dalë në skenë një tjetër problem, pasi mesfushori ka një dëmtim në këmbë dhe prej muajsh shmangur një ndërhyrje kirurgjikale, pasi donte të merrte një ftesë nga kombëtarja braziliane për të luajtur në Copa America.

Megjithatë duke luajtur i dëmtuar, jo vetëm që humbi thirrjen nga Brazili, por doli edhe nga “radarët” e Pirlos, duke parë gjithmonë e më pak fushën e blertë, ndërsa tani mbetet për t’u verifikuar gjendja fizike e Arthur.

Futbollisti do të nisë përgatitjet nën urdhrat e Allegrit, me shpresën që nuk ka më dhimbje në këmbë, pasi në rast të kundërt do të detyrohej t’i nënshtrohej një tjetër operacioni, që do ta mbante larg fushave për disa muaj.

Në këtë mënyrë jo vetëm që do të humbte garën për një vend në formacionin e Allegrit, por edhe mundësinë e huazimit në një tjetër klub, ku t’i garantohen sa më shumë minuta në fushën e blertë.


Shtuar 7.07.2021 08:47