William Saliba mund t’i mungojë Arsenalit për një periudhë prej katër deri në pesë muajsh, pasi mbrojtësi pritet të kryejë një operacion në shpinë, sipas raportimit të L’Equipe.
Të lidhura
None found
Problemi i francezit u bë i dukshëm gjatë gjysmëfinales së Kupës së Botës kundër Spanjës. Ai u detyrua të dilte nga fusha pasi ndjeu dhimbje të forta në shpinë.
Megjithatë, shqetësimi nuk kishte nisur në atë ndeshje. Raportimet bëjnë të ditur se Saliba kishte pasur probleme në këtë pjesë të trupit prej disa muajsh para dëmtimit.
Mbrojtësi 25-vjeçar e kishte përballuar situatën me qetësues dhe një program stërvitor të përshtatur. Stafet mjekësore të Arsenalit dhe Kombëtares së Francës kishin ndjekur një qasje të ngjashme për ta mbajtur në dispozicion.
Edhe pse vuante nga dhimbjet, Saliba vijoi të aktivizohej përgjatë gjithë Kupës së Botës, duke dëshmuar përkushtimin e tij ndaj ekipit.
Tashmë, pas përkeqësimit të gjendjes, ndërhyrja kirurgjikale konsiderohet alternativa më e mundshme. Arsenali pritet të përballet me një mungesë të zgjatur të një prej elementëve më të rëndësishëm në mbrojtje.
Dëmtimi i Salibas vjen në një periudhë të ndërlikuar për “Topçinjtë”, që do të duhet të gjejnë zgjidhje për të zëvendësuar një nga shtyllat e repartit defensiv.
