Milani ka nisur projektimin për sezonet e ardhshme, duke konfirmuar besimin te trajneri Massimiliano Allegri. Pas një takimi me drejtuesit Igli Tare dhe Giorgio Furlani, është rënë dakord që strategjia e merkatos do të ndjekë linjat e vendosura nga tekniku italian.
Sipas raportimeve, nuk ka asnjë sinjal që Allegri mund të largohet nga pankina për sezonin 2026/27, pavarësisht zërave për pakënaqësi. Përkundrazi, ai ka marrë garanci për të ndërtuar skuadrën sipas ideve të tij.
Të lidhura
None found
Prioriteti i parë i Allegrit, mbetet përforcimi i repartit defensiv. Emri kryesor është Mario Gila i Lazio, i cili shihet si lideri i ardhshëm i mbrojtjes kuqezi.
Në mesfushë, trajneri kërkon rikthimin e Nicolò Fagioli, një lojtar që e ka promovuar vetë më parë. Bisedimet me Fiorentinën janë në zhvillim, ndërsa ideja është që ai të kombinohet me eksperiencën e Luka Modrić, i cili pritet të qëndrojë në skuadër.
Megjithatë, kjo mund të sjellë ndryshime në organikë, ku emra si Ardon Jashari, Youssouf Fofana dhe Ruben Loftus-Cheek janë në pikëpyetje.
Një tjetër objektiv madhor për mesfushën është Leon Goretzka i Bayern Munich. Milani raportohet se është përpara konkurrencës dhe ka nisur kontaktet për një kontratë trevjeçare me opsion zgjatjeje.
Në repartin ofensiv priten lëvizje të shumta. Largimi i mundshëm i Christopher Nkunku dhe Santiago Giménez, si dhe mosshfrytëzimi i opsionit për Niclas Füllkrug, do të detyrojnë klubin të ndërhyjë në merkato.
Në të njëjtën kohë, e ardhmja e Rafael Leão mbetet e paqartë, pasi klubi është i hapur për oferta të rëndësishme për të. Ndërsa Christian Pulisic pritet të qëndrojë, drejtuesit synojnë afrimin e një sulmuesi të nivelit të lartë.
Një nga emrat më të përfolur është Gabriel Jesus i Arsenal, i cili po shihet si përforcim ideal për vijën e parë.
