Agnelli: Për Suarez më njoftoi Nedved, me provimin është marrë Paratici

Dalin detaje të reja nga hetimi mbi provimin e mbrojtjes së gjuhës italiane nga ana e sulmuesit uruguaian Luis Suarez, që dyshohet se ishte një farsë e organizuar nga drejtuesit e klubit të Juventusit, që atëherë synonin të merrnin në Torino futbollistin.

Kështu e përditshmja italiane “La Reppublica” ka zbuluar dëshminë e dhënë nga presidenti i bardhezinjve, Andrea Agnelli në prokurorinë italiane, aty ku numri një i torinezëve ka zbuluar edhe si mori dijeni për negociatat me sulmuesin.

“Mbaj mend që në një drekë, zëvendës-presidenti Pavel Nedved më vuri në dijeni për mundësinë e nënshkrimit me Suarez, pasi kishin nisur negociatat paraprake nëpërmjet mesazheve. Ne në atë kohë kishim negociata të hapura edhe me sulmues të tjerë si Dzeko, Milik apo morata, të cilin e morëm në fund. Sa i përket provimit të gjuhës, nuk kam pasur dijeni për asnjë moment, pasi me këtë është marrë Paratici, që nuk më ka raportuar për asgjë. Me Suarez kam folur vetëm një herë, ku më falënderoi për negociatat dhe më njoftoi se kishte zgjedhur Atleticon e Madridit”, deklaroi Agnelli.


Shtuar 28.04.2021 20:40