Gjykata e Elbasanit ka vendosur ‘arrest me burg’ për 17-vjeçarin Horgito Peqini, i akuzuar për vrasjen e 33-vjeçarit Madrit Ulqinaku mbrëmjen e 17 gushtit në Elbasan si dhe bashkëpunëtorin e tij Klaudjan Sallufi.
Peqini dhe 33-vjeçari Sallufi kanë dalë në seancë për verifikimin e kushteve të masës së sigurimit të mbrojtur nga avokatë të caktuar kryesisht nga Gjykata.
I riu është shfaqur i qetë, madje duke buzëqeshur në seancë. Ndërsa Sallufi ka qëndruar i heshtur. Është vënë re mungesa e familjarëve të dy të pandehurve.
Ndaj 17-vjeçarit rëndon akuza e vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve.
Duke qenë i mitur, Peqini për veprën penale për të cilin akuzohet në bazë të nenit 76 të Kodit penal rrezikon nga 10 deri në 20 vjet burg dhe për shkak të moshës atij i përgjysmohet në 5 vjet deri 10 vjet burg dënimi nëse provohet vepra penale për të cilën akuzohet.