Një hetim i nisur nga prokuroria e Posaçme për verifikimin e pasurisë së ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ka çuar në ambientet e SPAK biznesmenin nga Fieri, Lulzim Morina.
Mësohet se Ditën e Hënë, ai ka dhënë shpjegime për disa transaksione bankare me vlerë mbi 100 mijë euro, transferta këto që janë kryer gjatë vitit 2016-2017 tek llogaria e Fatlinda Tahirit, bashkëshortja e ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri.
Gjatë marrjes në pyetje, burimet thanë se, Lulzim Morina, ka pranuar kryerjen e këtyre transaksioneve, duke pretenduar se shumat financiare janë dhënë në formën e borxhit.
Sipas tij, huaja është kthyer sërisht mbrapsht dhe për këtë gjë ka premtuar se do i vendoste në dispozicion hetuesve të çështjes mandatet bankare.
Pas kësaj dëshmie të shkurtër, Morina është lënë i lirë të shkojë, por duke i mbajtur aparatin e telefonit.
Bllokimi i është kryer me qëllim kqyrjen e bisedave dhe ekspertimit teknik të tij, ku shpresohet të gjendet biseda dhe materiale që i shërbejnë këtij hetimi.
Prej disa kohë, SPAK ka nisur një hetim pasuror ndaj Saimir Tahirit dhe njerëzve të afërm të familjes së tij.
SPAK ka shtrirë verifikimet dhe tek disa biznese që gëzon kunati i ish-ministrit dhe disa kontrata noteriale ku janë blerë sipërfaqe toke në fshatin “Fishtë”.
Hetimi pasuror ndaj Tahirit po kryhet në bazë të ligjit antimafia, pas procedimit penal si i pandehuri i prokurorisë në trafikun e drogës nga Shqipëria në Itali.
Por për këtë dosje penale, Tahiri u dënua me vetëm 4 vjet e 8 muaj burgim për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe jo për akuzat e ngritura nga prokuroria. /Ora News/