Forca të shumta policie, të asistuara nga agjentët e BKH-së mëngjesin e sotëm, 24 tetor, zhvilluan një operacion në Elbasan për kapjen e personave të shpallur në kërkim, mes tyre dhe Suel Çela.
Policia zhvilloi kontrolle në tregun e fruta-perimeve si dhe në shtëpinë e Çelës.
Kontrolli është urdhëruar nga SPAK për llogari të autoriteteve belge.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar disa sende sipas letërporosisë së mbërritur nga autoritetet belge ndërsa janë shoqëruar në polici babai dhe vëllai i Suel Çelës.
Ky i fundit është shpallur në kërkim në maj të vitit 2022 pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, i penduar i drejtësisë.
Ai kërkohet prej disa vitesh si person i dyshuar i përfshirë në ngjarje kriminale.
Për çfarë akuzohet Suel Çela
Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit ai është porositës i tre ngjarjeve 2 të parealizuara dhe 1 e mbetur në tentativë.
Suel Çela akuzohet se ka porositur atentatin e dështuar të 29 marsit 2022 ndaj Elton Kilës, që do ta kryente bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, por i cili mbeti i plagosur rrugës dhe më pas u arrestua.
Një tjetër krim i porositur është tentativa për të vrarë administratorin e shkollës private Lulzim Masha dhe Skerdi Tase dyshohej si ishte marrë si vrasës me pagesë në këtë rast.
Suel Çela nga Elbasani, rezulton i dënuar në Itali për trafikim narkotikësh, por ai ka arritur t’i shpëtojë burgut.
Çela i njohur edhe si Marjus Lulaj i është drejtuar me kërkesë gjykatës së Posaçme për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në një masë më të lehtë sigurie./Albeu.com