Ministria e Mjedisit: Nis nga 1 qershori ndalimi për qeset njëpërdorimshme që jepen në fruta-perime dhe supermarkete, përjashtohen shumëpërdorimshmet
Nga 1 qershori nis zbatimi i nismës ligjor për ndalimin e hedhjes në treg, prodhimit dhe importit të qeseve njëpërdorimshme plastike.
Ndryshimet e miratuara më herët nga Kuvendi në ligjin e integruar të mbetjeve i shtrijnë efektet nga 1 qershori. Ministria e Mjedisit dhe Turizmit sqaroi për “Monitor” se ndalimi është vetëm për qeset njëpërdorimshëm me trashësi deri në 70 mikronë nga secila anë me kapacitet mbajtës jo më pak se 10 kg dhe me përmasa jo më pak se 50 cm gjatësia dhe 24 cm gjerësia, pa përfshirë gjerësinë e palosjes.
Praktikisht sipas Ministrisë së Mjedisit janë qeset qe jepen në fruta-perime, qeset aktuale të supermarketeve dhe të ngjashmet e tyre. Ndërsa çdo qese tjetër mbi 70 mikron, me kapacitet mbajtës mbi 10 kg dhe me përmasat fizike mbi kufirin e përmendur, konsiderohet qese shumëpërdorishme dhe përdorimi i tyre nuk është i ndaluar.
Për zbatimin e legjislacionit Ministria e Mjedisit dhe Turizmit ka hartuar projektvendimin “Mbi masat e hollësishme dhe institucionet përgjegjëse për ndalimin e përdorimit, hedhjes në treg, prodhimit, importimit, apo futjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të qeseve plastike mbajtëse si dhe qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme”. “Përjashtohen nga zbatimi i këtij vendimi, qeset plastike mbajtëse dhe qeset plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo të oxo-biodegradueshme me trashësi për çdo anë, 70 dhe më të madhe se 70 mikron, me kapacitet mbajtës 10 dhe mbi 10 kilogramë, me përmasa jo më pak se 50 cm gjatësia dhe 24 cm gjerësia, pa përfshirë gjerësinë e palosjes”, përcakton projektvendimi.
Drafti parashikon se do të jetë Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (këtu e në vijim ISHMT) është institucioni përgjegjës për zbatimin e masave të hollësishme, për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike mbajtëse dhe për vendosjen e penaliteteve ndaj subjekteve që shkelin ligjin. Në nenin 62 të ligjit parashikohet që çdo person që qese hedh në treg, prodhon dhe importon qese plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme dënohet me gjobë me vlerën 500,000 lekë dhe i sekuestrohen qeset. Për përsëritësit e shkeljeve masa e gjobës është 1,5 mln lekë. për personat e dënuar me gjobë me 1,5 mln lekë që konstatohet që hedhin në treg, prodhojnë apo importojnë qeset njëpërdorimshme iu rivokohet leja apo licenca.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit është institucioni përgjegjës për pajisjen e strukturës përgjegjëse për inspektimin në mjedis dhe asaj të mbikëqyrjes së tregjeve me mjete të certifikuar për verifikimin e parametrave të trashësisë së mureve të qeses plastike 70 mikron për çdo anë. Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është struktura kryesore përgjegjëse për ndalimin e importimit të qeseve njëpërdorimshme.
Për qeset plastike të sekuestruara do të ndiqet procedura e riciklimit. Shpenzimet për transportin, ruajtjen e përkohshme, sekuestrimin, magazinimin dhe riciklimin e qeseve të sekuestruara mbulohen nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.
ISHMT gjithashtu do të krijojë një regjistër të dhënash për masat e marra ndaj subjekteve që prodhojnë qeset plastike mbajtëse dhe qese plastike të oxo degradueshme dhe oxo-bio degradueshme; me të dhënat e raportuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për importin, nga Inspektoriati i Mbikëqyrjes së Tregjeve për subjektet e inspektuar; sasitë e sekuestruara të qeseve plastike mbajtëse dhe qeset plastike të oxo degradueshme dhe oxo-bio degradueshme nga subjektet që kryejnë importin, futjen dhe përdorimin në vend të qeseve plastike të ndaluara; prodhuesit e qeseve plastike mbajtëse, qeseve të oxo degradueshme dhe oxo- bio degradueshme dhe subjektet tek të cilët tregtohen për qëllime përdorimi qeset e prodhuara.
Nisma për ndalimin e qeseve njëpërdorimshme shkaktoi debat te grupet e interesit, që cilët penalizohen nga kufizimi i riciklimit të plastikës. Për këtë shqetësim të industrisë ministria e Mjedisit më herët sqaroi se nisma ligjore nuk merr përsipër të ndalojë gjithë plastikën, as të ndalojë të gjitha llojet e qeseve, por merr përsipër të ndalojë ndalojë: Qese plastike mbajtëse; Qese të lehta plastike mbajtëse; Qese shumë e lehtë plastike mbajtëse; Qese plastike mbajtëse oxo- degradueshme ose oxo-biodegradueshme. “Bizneset që operojnë në këtë fushë, nuk prodhojnë vetëm këto lloje qesesh, por një gamë shumë të gjerë produktesh plastike. Nisma ligjore është prezantuar që në vitin 2019, duke ndjekur të gjitha hallkat e informimit dhe konsultimit publik, gjë që i ka mundësuar bizneseve të përshtatin planet e tyre në bazë të kuadrit të ri”, pohoi ministria./monitor