Flamingot “pushtojnë” Shëngjinin, pamje mahnitëse nga laguna e Kune-Vain

Një pamje spektakolare është regjistruar së fundmi në lagunën e Kune-Vain në Shëngjin, ku flamingot të cilat ishin parë të vinin vetëm në stinën e vjeshtës, tashmë kanë ardhur edhe në stinën e ftohtë të dimrit.

Pak ditë më parë ky lloj shpendi u pa edhe në Liqenin e Pogradecit, edhe pse habitati i tyre i zakonshëm janë lagunat.

Flamingot janë lloji i shpendëve që parapëlqejnë ujërat e ftohta dhe ajo që bie në sy teksa i sheh, është qëndrimi i tyre. Ato një këmbë e mbështesin mirë në tokë dhe këmbën tjetër e mbledhin pas trupit, veprim që sipas studiuesve i ndihmon flamingot të ruajnë temperaturën e trupit.