“Bonnie and Clyde”, kush është çifti i arrestuar sot në Tiranë, si e zhduknin kokainën sa herë afrohej policia

Florand Karemani dhe Mamica Korteshi janë çifti i bashkëshortëve që janë arrestuar në zonën e Selitës në Tiranë në kuadër të operacionit “Tempulli 2” për shitje të lëndëve narkotike.

Burrë e grua jetonin në katin e katërt të një pallati dhe për të kryer aktivitetin kriminal bashkëpunonin me nipin e tyre.

Policia më herët nuk kishte mundur të dokumentonte përfshirjen në shitjen e drogës për shkak të skemës që ata përdornin.

Apartamenti ruhej dhe survejohej nga kamera sigurie, të cilat mbaheshin në vëzhgim dhe sa herë ndërhyhej për kontroll nga policia, çifti i shpërndarësve të kokainës e asgjësonte drogën në tualet, duke mos lënë asnjë gjurmë.

Megjithatë në operacionin e së hënën u arrit të kapej sasi e konsiderueshme kokaine, e bërë gati në doza për t’u shpërndarë pasi ndërhyrja u bë nga forcat elitë RENEA, të cilët vunë në pranga të tre, bashkë me nipin.

Dy bashkëshortët përdornin nipin e tyre, i cili në katin e parë merrte paratë nga blerësit e dozave të kokainës dhe më pas konsumuesi ngjitej në kat të katërt për të marrë lëndën narkotike.

Në kuadër të operacionit “Tempulli 2” u goditën 7 grupe kriminale dhe në rang vendi u arrestuan 273 persona./albeu.com