Skandale dhe lajme të ëmbla: Ngjarjet më të bujshme të showbizit për 2021 nga Bora dhe Donaldi te Fjolla Morina (FOTO LAJM)

As 2021-shi nuk ia doli të bëhej viti i preferuar i shqiptarëve. Sikur të mos mjaftonte pandemia, zgjedhjet na trullosën akoma më shumë me zhurmën dhe gjithë rrëmujën që përcollën. Kur dukej se do gjenim qetësi në muajin e fundit të vitit, ndodhi edhe skandali i daljes në shesh të pagave të shqiptarëve, emra, mbiemra, numra telefoni dhe targa makinash duke nxjerrë popullin “lakuriq” para gjithësecilit.

Prandaj nga gjithë kjo rrëmujë, pjesa rozë e ekranit shqiptarë, VIP-at dhe bëmat e tyre duken se janë një relaksim për publikun edhe pse ndonjëherë “ia marrin në kthesë” kronikës së zezë.

Më poshtë po rendisim disa prej ngjarjeve më të bujshme të showbizit shqiptar gjatë vitit 2021:

Fjolla Morina, problemet me ligjin dhe dashuria:

Fundi i vitit 2020 dhe pjesa më e mirë e 2021 nuk ishin aspak të qeta për këngëtaren Fjolla Morina. Fjolla e nisi vitin me dënimin arrest shtëpie pasi u kap me armë pa leje nga policia. Por këngëtarja i futi një mendje të lehtë, thyeu ligjin dhe u arratis në ishujt Maldive për të celebruar në martesë dashurinë e saj me binesmenin Fisnik Syla. Si “dhuratë” për martesën, Fjolla Mori nga shteti kosovar një arrestim me burg për pak ditë, sa u vërtetua pafajsia, shkruan Albeu.com.

Epo gjithë këto probleme të këngëtares tingëllojnë më shumë si një aventurë që duket se e ka shijuar.

Ribashkimi i Soni Malajt dhe Flori Mumajesit:

Soni Malaj dhe Flori Mumajesi do të mbeten një nga çiftet ikonë të ekranit shqiptarë. Hitoria e tyre duket për publikun sa e “lashtë”, aq edhe e freskët. Kur askujt nuk i shkonte në medje se do shihnim sikur edhe një foto të tyren bashkë, Soni Malaj i beson ish-partnerit të saj të para 10 vitesh projektin “Versioni im”, më të cilin mori pjesë në “Kënga Magjike 2021”.

Ish-çifti ka thyer tabu pasi nuk ndodh shpesh mes personazheve publik që kanë patur një histori kaq të bujshme dashurie, të rikthehen në një projekt të përbashkët pas 10 vitesh.

Në të njëjtën periudhë u mësua se Soni Malaj i ka dhënë fund lidhjes 6-vjeçare me biznesmenin, Klevi dhe të gjithë shqiptarët po shpresojnë të njëjtën gjë përsa i përket ish çiftit.

Papritur prindër:

Lajmi se Aurela Hoxha është bërë nënë në qeshor të 2021 u duk i pabesueshëm derisa modelja e konfirmoi vetë dhe publikoi foto me djalin e saj, Alaron. Modelja fshehu në mënyrë pefekte shtatzëninë për 9 muaj, prandaj ishte e pabeuseshme. Partneri i Aurela Hoxhës vazhdon të mbetet mister.

Njësoj habiti edhe lajmi se Anxhela Martini është bërë nënë. Lajmin e ndau vetë modelja ku tregoi se djali ka ardhur në jetë me nënë surrogate dhe quhet Kyree. 2021 nuk ka qenë aspak një vit i thjeshtë për Martinin, pasi arrestimi të bujshëm të partnerit të saj, Dragos Savulescu.

“Jemi në luftë me Rumaninë”, është shprehur Angela Martini në një rrëfim ku tregoi versionin e saj të arrestimit të padrejtë të partnerit, shkruan Albeu.com.

“Big Brother VIP Albania”:

Për herë të parë në Shqipëri po zhvillohet “Big Brother VIP ” ku personazhe publik po jetojnë në të njëjtën shtëpi, 24 orë të survejuar nga kamerat.

Vëmendjen kryesore të këtij edivioni të “BB VIP” e ka marrë trekëndëshi i dashurisë Bora Zemani-Donald Veshaj-Beatrix Ramosaj.
Duket se edhe në 2022 shqiptarët nuk do gjejnë qetësi nga kjo histori e ndërlikuar dashurie.

Ndarja nga jeta e Hueyda El Saied:

23 nëntori solli lajmin më të trishtë që mund të merte ekrani shqiptarë. Hueyda El Saied u nda nga jeta në moshën 46-vjeçare si pasojë e tumorit në gjoks. E lindur në Shqipëri dhe me origjinë nga Sudani, El Saied la pas djalin Gabriel dhe partnerin e saj me të cilin ishte martuar prej një viti Thierry, që ka birësuar edhe të birin.

Dasma e Rudina Dembcaj:

Rudina Dembacaj dhe Mark Frroku kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë me datë 1 Tetor. Dasma e tyre me të ftuar VIP u komentua gjatë në media nisur edhe nga martesa e mëparshme dhe lidhjet e saj që tashme janë publike.

Festivali i 60 i Këngës: 
2021-shi mbyllet me fitoren e Ronela Hajatit në Festivalin e Këngës në RTSH. Ronela do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2022 me këngën “Sekret” dhe performancën akoma më të zjarrtë se ajo në Pallatin e Kongreseve, siç ka premtuar këngëtarja.
Pretendent për fitore ishte edhe Alban Ramosaj me “Theje” i cili mori çmimin e dytë. Si rrallëherë çmimi i parë dhe i dytë u përqafuan dhe uruan njëri tjetrin me superlativa duke e mbyllur kështu më së miri Festivalin, Vitin dhe këtë artikull./albeu.com/


Shtuar 31.12.2021 12:27