Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përdorur ironi për të shprehur gatishmërinë që Lojërat Mesdhetare 2030 të mbajnë emrin e kryeministrit Albin Kurti, nëse kjo do të ndihmonte që Kosova të mos e humbiste organizimin e tyre.
Të lidhura
None found
Gjatë një interviste në emisionin “Debat Plus”, Rama tha se kjo çështje nuk duhet trajtuar nga këndvështrimi politik. Sipas tij, Lojërat përbëjnë një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e vendit dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme.
“A është kjo çështje politike për sa i përket meje jo me ja ndërru emrin ‘Kosova 2030’ por po ja ngjesim ‘Albin Kurti 2030’ vetëm të krijojmë këtë infrastrukturë e t’i mbajmë këto lojëra se janë më se të nevojshme për vendin tonë, rininë tonë e të ardhmen tonë”, ka deklaruar Rama.
Kryetari i Prishtinës paralajmëroi se Kosova mund të mbetet pa Lojërat Mesdhetare për shkak të, siç i cilësoi ai, “gjërave të kota e naive”.
Rama e vlerësoi organizimin si një shans të madh për Prishtinën dhe Kosovën që deri në vitin 2030 të investojnë në infrastrukturë dhe të përmirësojnë perceptimin e vendit në arenën ndërkombëtare.
“Për tu kthyer tek çështja monumentale që e kemi përpara për me i organizu një event madhor që e qet në pah Prishtinën, Kosovën në nivel global. E gjithë kjo për qytetarët tanë e shqiptarët kudo që janë me e ndërru edhe këtë brendin që e ka Kosova në botë si një vend i pasigurt e një vend i pasluftës. Pra, e kemi një mundësi monumentale, një organizim të mirëfilltë ku mundemi me kriju në infrastrukturë deri më 2030 e që na kish marrë kohë 20-30-40 kohë me ndërtu nëse se kishim pas këtë mundësi me Lojërat Mesdhetare”, u shpreh Rama.



