Mbrëmjen e djeshme, këngëtari grek Antonis Remos, ka dhënë një koncert në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, bashkë me një tjetër artiste të njohur greke, Marinelën.
Në minutat e para të koncertit, ai kërkoi ndjesë për lëndimin e emigrantëve shqiptarë në Greqi, në vitet e para të emigracionit.
Remos shpjegoi se e kupton mirë se ç’do të thotë të jesh emigrant e të rritesh si fëmijë emigrantësh në vend të huaj, duke rrëfyer historinë e tij si një fëmijë i lindur në Gjermani nga prindër grekë.
“Dua t’ju them pak fjalë që burojnë nga zemra ime. Në vitet 1995-96 unë hodha hapat e para në karrierën time si këngëtar. Në vitet ’90 filluat të vinit dhe ju në Greqi.
Kaluan shumë vite që atëherë, u rritët, krijuat familjet tuaja, fëmijë, u rritën edhe ata fëmijë. U rritëm dhe ne bashkë.
Ajo që dua të them nga zemra janë vetëm dy fjalë: Faleminderit shumë! Kërkoj falje! Faleminderit se ndihmuat vërtet Greqinë tonë, në momentet që kishte nevojë. Dhe një “Më fal” se Greqia shumë herë, jo të gjithë, por disa herë Greqia ju lëndoi!
Dhe ndjej se ju u lënduat, ashtu siç jam ndjerë dhe unë si fëmijë emigrantësh në Gjermani. U linda në Gjermani, e di çfarë do të thotë të jesh fëmijë emigrantësh në një vend të huaj.
Kështu, thellë nga zemra ime, me shumë dashuri e respekt, ju them këto dy shprehje. Sepse duke ardhur këtu, pashë një vend që tashmë ka hapur krahët e fluturon vërtet shumë lartë në hapësirën qiellore, me kaq arritje e ndryshime të bukura. Unë pashë një qytet kaq të bukur, Tirana është vërtet një qytet mrekulli”,– tha Remos.