Këngëtari dhe kompozitori Gjergj Leka ishte i ftuar në emisionin “E Diell”, me moderator Ed Manushin, ku foli për momente të ndryshme nga jeta e tij.
Gjatë rrëfimit, ai u ndal te vitet e fëmijërisë, adoleshencës dhe rinisë, duke theksuar se nuk do të ndryshonte asgjë nga ajo periudhë, nëse do t’i jepej mundësia ta jetonte sërish.
Të lidhura
None found
Leka tregoi gjithashtu se nuk ka qenë asnjëherë i punësuar në shtet. Megjithatë, me humor, ai solli në vëmendje një periudhë kur u detyrua të punonte në një ambient ku kishte 2700 vajza.
“Nëse do të kthehesha pas, nuk do të ndryshoja as edhe një presje; do të jetoja pikërisht të njëjtën jetë. Kam qenë me fat që fëmijërinë dhe adoleshencën i kalova pranë njerëzve më të rritur dhe më të zgjuar se unë. Për mua, kjo ishte shkolla e vërtetë e jetës.
Sa herë më pyesin për historitë e rinisë, unë qesh dhe rrëfej vetëm ato që zgjedh vetë. Po të kishim sot të mirat që na ofronte ajo kohë në muzikë, do të ishte ndryshe. Atëherë nuk ekzistonte playback-u; duhej të paraqiteshe para komisioneve dhe të tregoje vlerat e tua. Sot shohim një largim masiv dhe mendoj se jemi i vetmi shtet ku gjithçka është përqendruar në kryeqytet, edhe pse shumë prej këtyre gjërave janë pa nivel.
Po ndaj me ju një sekret: nuk marr pension dhe nuk kam pranuar kurrë të punoj në shtet. Që në moshën 16-vjeçare kam punuar në sektorin privat. Të vetmet vite pune që kam janë ato të ushtrisë, pasi më larguan nga shkolla dhe më dërguan për tre vjet ushtar. Në një rast më hoqën edhe nga skena. Nuk ishte për shkak të flokëve të gjata apo pantallonave të gjera; më çuan për dënim te NPV, ku ishim një mashkull dhe 2700 femra. Në fund, nuk doja më të largohesha prej andej. Më paguanin si piktor”, tha Gjergj Leka.
