Një hetim ndërkombëtar ka zbuluar se Shtetet e Bashkuara kanë dërguar më shumë se 25,000 persona në vende të treta, përmes marrëveshjeve me dhjetëra shtete që pranojnë migrantë me të cilët nuk kanë asnjë lidhje.
Të lidhura
None found
Hulumtimi, i publikuar nga konsorciumi Forbidden Stories, lidhet me periudhën pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, në janar 2025. Sipas tij, administrata amerikane ka negociuar me vende të Amerikës Latine, Afrikës dhe Paqësorit për transferimin e individëve që nuk mund të deportohen ligjërisht në shtetet e tyre të origjinës.
Në këtë punë investigative morën pjesë 72 gazetarë dhe 23 media nga 15 vende. Të dhënat e mbledhura tregojnë se deri më 31 gusht 2026, të paktën 25,447 persona janë transferuar në 28 vende, ndërsa rreth 20 mijë prej tyre janë dërguar në Meksikë.
Kushtet e marrëveshjeve nuk janë të njëjta për të gjitha shtetet. Ndryshimet lidhen kryesisht me kombësitë që pranohen dhe me faktin nëse personat e transferuar kanë apo jo precedentë penalë.
Hetimi raporton se Uashingtoni ka kontaktuar ose ka tentuar të afrohet me 49 prej 54 vendeve afrikane, me qëllim që ato të pranojnë shtetas të vendeve të treta të deportuar nga SHBA.
Një investigim i AFP-së, i publikuar në fillim të vitit 2026, kishte evidentuar më herët presionin ndaj disa vendeve afrikane. Administrata amerikane dyshohet se ka përdorur si mjete presioni kërcënimet për vendosjen e tarifave, pezullimin e vizave dhe reduktimin e ndihmës.
Avokatët e intervistuar nga AFP kanë shprehur shqetësim për mënyrën se si trajtohen këta persona pas mbërritjes. Sipas tyre, migrantët mund të përballen me një status ligjor të paqartë dhe me mundësi të kufizuara për të ushtruar të drejtat e tyre.
Plani financiar i qeverisë amerikane parashikon shpenzimin e më shumë se 410 milionë dollarëve për shtetet pritëse dhe agjencitë ndërkombëtare që marrin pjesë në transferimin e emigrantëve.
Një agjenci e Departamentit amerikan të Shtetit, e njohur si Shërbimi i Emigrimit dhe e krijuar në maj 2025, ka administruar një pjesë të rëndësishme të negociatave dhe pagesave të lidhura me këtë proces.
Kameruni është një nga rastet e dokumentuara. Me këtë shtet, SHBA nënshkroi në dhjetor 2025 një memorandum mirëkuptimi për pranimin e personave të deportuar nga vende të treta. Transporti i parë ajror me të dëbuar mbërriti atje më 14 janar.
Në Palau, shtet ishullor në Paqësor me rreth 18 mijë banorë, marrëveshja parashikon pranimin e 75 personave nga vende të treta në këmbim të 7.5 milionë dollarëve. Deri tani, sipas hetimit, në këtë shtet janë transferuar vetëm tre persona.
Eswatini ka pranuar 32 persona që nga korriku 2025, ndërsa marrëveshja prej 5 milionë dollarësh parashikon transferimin e gjithsej 160 personave. Dokumentet tregojnë se në këtë numër mund të përfshihen edhe individë me precedentë penalë.
Dokumentet e brendshme të Departamentit të Shtetit saktësojnë se nga fondi prej 410 milionë dollarësh, 81 milionë janë parashikuar drejtpërdrejt për qeveritë e vendeve pritëse. Pjesa tjetër do të shkojë për organizata ndërkombëtare, mes tyre 178 milionë dollarë për Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) dhe 123 milionë dollarë për UNHCR-në.
Financimi dhe përfshirja e agjencive të Kombeve të Bashkuara kanë nxitur kritika nga organizata të ndryshme të të drejtave të njeriut. Në një përgjigje për Forbidden Stories, UNHCR deklaroi se nuk është palë në marrëveshjet e deportimit dhe se fondet amerikane përdoren në përputhje me mandatin e saj për forcimin e sistemeve të azilit.
Një zëdhënës i IOM-it tha se organizata e kupton që SHBA i përdor fondet e saj për zbatimin e prioriteteve të veta. Megjithatë, ai theksoi se pranimi i financimit amerikan synon përmirësimin e jetës së emigrantëve dhe nuk nënkupton miratimin e deportimeve.
