Eni Vasili është një nga gazetaret politike më të dashura shqiptare. Megjithatë ajo është shumë hermetike rreth jetës personale. Prej pesë muajsh ajo është bërë nënë e binjakeve, Sofia dhe Nikol, që i kanë ndryshuar jetën. Së fundmi, në një intervistë për Revistën Living, Eni është rrëfyer për jetën me bashkëshortin dhe dy vajzat.
Gjatë emisionit të saj Enin e kemi parë edhe të përlotur. E pyetur nëse ka menduar ndonjëherë të largohet nga profesioni, ajo ka thënë:
“Në më tepër se njëzet vjet karrierë si gazetare e afro pesëmbëdhjetë prej tyre si autore e një emisioni politik, çaste të vështira e delikate mund të numëroj shumë. Ne gazetarëve na mësojnë në libra se, që të jemi profesionistë të mirë duhet të mos përfshihemi në ngjarjet që tregojmë, për të mos humbur paanshmërinë dhe objektivitetin. Sigurisht, në libra nuk të thonë se si ta bësh këtë, kur sheh “live” se si nxirren trupat e përqafuar nga gërmadhat e një tërmeti, se si të intervistosh mjekë të traumatizuar nga numri i lartë vdekjeve që kanë patur atë ditë apo një tjetër që i është dashur të përzgjedhë kë të fusë në të vetmin aparat intubimi të mbetur në spital. Jo, nuk kam menduar kurrë ta lë profesionin, pasi do të isha një gjysmë unë.”
Gjatë rrëfimit të saj, Eni është shprehur se kur shikon programet e kolegëve që merren me “showbiz”, modë e spektakël mendon se ka zgjedhur zhanrin e gabuar.
“Jo se puna e tyre nuk ka stres dhe impenjim, por ka si qëllim të bukurën. Personazhet mezi presin të shkojnë në formate të tilla ku dëfrimi, humori, lehtësia e qenies është në qendër të formatit. Një debat televiziv politik ka humbës e fitues, ka gjithmonë njerëz që ikin të pakënaqur, të mundur, të sfiduar. Ka gjithmonë nga ata që ngurrojnë ose vijnë të detyruar. Temat e një debati të profilit tim janë impenjative dhe kërkojnë publik të vëmendshëm dhe përqendrim të posaçëm. Aq më shumë pastaj, kur jo rrallëherë debatet përfundojnë në akuza personale. Këto të fundit do t’i konsideroja çastet më të sikletshme.”
E pyetur se me cilin nga krerët e partive kryesore ndihet më komode gjatë emisioni ajo tha se nuk mund t’i diferencojë pasi secili ka bagazhin e vet jetësor dhe politik. Eni është mjaft e rezervuar për jetën private dhe kjo zgjedhje ka arsye.
“Ka një arsye të thjeshtë. Unë nuk jam në tregun e gazetarisë as për këpucët që vesh dhe as për perdet e shtëpisë. Jam në një përpjekje që nuk mbaron, në kërkim të disa të vërtetave. Kam besuar gjithmonë që publikut i intereson më shumë produkti i punës sime, sesa vendi ku unë kaloj fundjavën apo çfarë kam ngrënë për drekë gjatë javës. Është e qartë që në erën e rrjeteve sociale, kufiri mes publikes e privates për personazhet e ekranit është shkrirë. Ndoshta publiku ka patur një uri për të parë përtej dyerve të shtëpive të personave të njohur. E vërteta është që shumë nga këto dyer, jo u hapën, po thuajse u shqyen duke krijuar realitete iluzive të një jete të pavërtetë. Dalëngadalë këto rrezikojnë të bëhen modele të gabuara.”
Eni tha se shtatzëninë e priti si surprizën më të bukur, por me vetëdije të plotë për lumturinë dhe preokupimin që sjell ngjizja dhe krijimi. “Mbaj mend që bëra testin, por isha aq vonë për në punë, sa e lashë mbi lavaman dhe ika. Kur u ktheva, e kisha harruar dhe kur pashë vijat e kuqe, sa nuk më doli zemra nga vendi. Ia dërgova doktor Kostës në foto e ai më tha: “Urgjent në klinikë nesër në mëngjes, ta verifikojmë.” Vetëm pas verifikimit e ndava lajmin me Armandin dhe familjen.”
Gazetarja është ndalur edhe te dy vajzat e saj.
“Nuk do të kisha ndryshuar asgjë nga skenari që universi kish përgatitur për mua. Nikol është një bebe solare, që qesh me të gjithë dhe duket se do të fitojë zemrën e gjithkujt, ndërsa Sofia duket sikur e pretendon këtë vëmendje pa patur nevojë ta fitojë. Është shumë dëfryese të mundohesh të kuptosh trajtat e karakterit të tyre mes gugatjeve, ndërrimit të pelenave dhe zhurmës së rraketakeve në shtëpi. Tani vëmendja e të dyve është vetëm për to dhe meraku apo malli janë bërë ndjen – ja që na pushtojnë kur jemi larg. Këta pesë muaj kanë kaluar mes preokupimit dhe lumturisë, duke u përqendruar me shumë te vajzat, sesa te njëri-tjetri. Ajo që shoh, është që Armandi është një baba i apasionuar dhe unë një nënë në merak të vazhdueshëm. A pinë sa duhet, a fjetën sa duhet, si reagojnë, sa gugatin e të tjera si këto.”