Afeti nga Shkupi prej 25 vitesh rezulton zyrtarisht si i vdekur, ndonëse është gjallë dhe për vite me radhë ka zhvilluar pa sukses një përballje me institucionet për të dëshmuar se jeton, megjithëse shteti e ka fshirë prej kohësh.
Të lidhura
None found
Pasi nuk arriti të gjente zgjidhje në këtë ngërç institucional, ai iu drejtua për ndihmë Avokatit të Popullit.
Në raportin e Avokatit të Popullit, të përcjellë nga “Fokus”, thuhet: “Duke vepruar në kuadër të kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, Avokati i Popullit veproi sipas një ankese të paraqitur më 24.01.2023 nga një qytetar nga Shkupi, i cili ka zhvilluar procedura para disa autoriteteve për më shumë se shtatë vjet për t’u fshirë nga regjistri i vdekjeve, ku ishte regjistruar gabimisht pas vdekjes së vëllait të tij binjak, jashtë vendit, për shkak të zëvendësimit të dokumenteve personale”.
Ngatërresa nisi në vitin 2001, kur vëllai binjak i Afetit shkoi në Republikën Çeke dhe, pa dijeninë e tij, mori pasaportën e Afetit. Pak më pas ai ndërroi jetë jashtë vendit dhe, bazuar në pasaportë, institucionet regjistruan se kishte vdekur Afeti.
Megjithëse ai ka provuar me gjurmën e gishtit se është Afeti, institucionet vazhdojnë t’ia kalojnë njëra-tjetrës përgjegjësinë për korrigjimin e këtij gabimi. Gjykata Civile dhe Zyra e Regjistrimit Civil ia hedhin njëra-tjetrës kompetencën për zgjidhjen e çështjes.
Qytetari dorëzoi kërkesë në Gjykatën Themelore Civile të Shkupit që të shpallej i gjallë, por gjykata mori vendim duke e shpallur veten jokompetente, me arsyetimin se një procedurë e tillë nuk parashikohet nga rregulloret ligjore në fuqi. Pasi ky vendim u bë i formës së prerë, qytetari u udhëzua që çështjen ta trajtonte pranë Zyrës së Regjistrimit Civil.
Nga ana tjetër, Administrata e ktheu sërish qytetarin te procedurat gjyqësore, duke theksuar se vetëm gjykata ka kompetencë të nxjerrë vendim me të cilin personi shpallet i gjallë, e më pas Administrata mund të fshijë regjistrimin nga regjistri i të vdekurve. Për shkak të këtij kalimi të ndërsjellë të juridiksionit, pa asnjë veprim thelbësor mbi kërkesën, Avokati i Popullit vlerësoi se po cenohet e drejta themelore e jetës, pasi qytetari që figuron zyrtarisht i vdekur pengohet të ushtrojë edhe të drejtat më bazike./Telegrafi/
