Presidentja maqedonase takohet me Papa Françeskun, paralajmëron bashkëpunim intensiv me Vatikanin

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, në kuadër të vizitës së saj në Selinë e Shenjtë me rastin e manifestimit Maqedonia për nder të Shën Kirilit u takua me Papa Françeskun. Presidentja Siljanovska Davkova falënderoi për urimet e dërguara nga Papa Françesku me rastin e zgjedhjes së saj si Presidente dhe theksoi se është një nder i veçantë për të në vitin kur po festohet 30 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Ajo theksoi se vizita historike e Papa Françeskut në vendin tonë la gjurmë të forta në marrëdhëniet dypalëshe dhe konfirmoi shkallën e lartë të besimit dhe miqësisë mes dy vendeve.

Presidentja shprehu besimin se gjatë mandatit të saj vendi do të përpiqet edhe më intensivisht për thellimin e marrëdhënieve të përgjithshme me Selinë e Shenjtë, me synim forcimin e partneritetit dhe kultivimin e respektit të ndërsjellë bazuar në traditat e përbashkëta historike, kulturore dhe fetare.

Gjithashtu presidentja Siljanovska Davkova dhe Papa Françesku shqyrtuan mundësitë për avancimin e bashkëpunimit institucional në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës dhe shkëmbyen mendime për sfidat aktuale me të cilat përballet komuniteti katolik në vendin tonë.


Shtuar 23.05.2024 22:41