Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), ka bërë të ditur se po e konsideron largimin nga politika aktive, pas më shumë se dy dekadash angazhim në skenën politike.
Të lidhura
None found
Gjatë një interviste në emisionin Click të RTV21, Ahmeti foli si për të ardhmen e tij, ashtu edhe për zhvillimet brenda partisë. Ai pranoi se, pas 25 vitesh karrierë aktive politike, mundësinë e pensionimit po e mendon gjithnjë e më shpesh.
Ahmeti tha se kjo është një çështje për të cilën mendon personalisht, ndërsa bashkëdrejtuesit dhe bashkëudhëheqësit, sa herë që ai ua përmend, i përgjigjen se është ende herët. Sipas tij, pas më shumë se 45 vitesh veprimtari, kjo ide është e natyrshme, pasi jeta e atyre që kanë vepruar kundër regjimit të Jugosllavisë për të arritur deri te ditët e sotme nuk ka qenë e lehtë.
Duke e përshkruar këtë rrugëtim si një kalim “nga frigoriferi në kalorifer”, ai u shpreh se ndryshime të tilla i sjellin telashe organizmit. Ahmeti theksoi se edhe ata dëshirojnë të provojnë jetën e qytetarëve të zakonshëm dhe të kenë më shumë liri në lëvizje, pasi përditshmëria e tij aktuale zhvillohet mes shtëpisë, selisë dhe aktiviteteve.
Megjithatë, bashkëpartiakët e Ahmetit vlerësojnë se momenti për largimin e tij nuk ka ardhur ende dhe se angazhimi i tij në politikë vazhdon të jetë i domosdoshëm.
Duke folur për ndryshimet e personelit në BDI, ai deklaroi se strukturat udhëheqëse kanë kaluar tashmë nëpër një ripërtëritje të ndjeshme. Sipas Ahmetit, mbi 83 për qind e drejtuesve janë kuadro të reja dhe të rinj.
Mundësia që Ali Ahmeti të largohet nga politika është përmendur edhe më herët, ndërsa spekulime të tilla janë shfaqur disa herë në opinion, raporton INA.
