Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut propozon që transportuesit të pajisen me një status të veçantë, duke i ndarë shoferët profesionistë nga turistët për sa u përket kufizimeve të Shengenit. Koordinatori për bashkëpunim ndërkombëtar në këtë odë, Daniel Matrakoski, deklaroi se rregullat aktuale përbëjnë një pengesë administrative të paqëndrueshme për këtë sektor.
Të lidhura
None found
Sipas tij, çështja nuk lidhet me migracionin, por me vazhdimësinë e zinxhirëve evropianë të furnizimit. Ai theksoi se 77,5 për qind e eksporteve të Maqedonisë së Veriut drejtohen në mënyrë të drejtpërdrejtë drejt Bashkimit Evropian.
“Është e palogjikshme që shoferët që mbështesin industrinë evropiane t’u nënshtrohen të njëjtit kufizim 90-ditor të Shengenit që zbatohet për turistët. Përmes Forumit të Investimeve të Dhomave të Tregtisë (KIF) dhe kontakteve të punës me Komisionin Evropian, në mbledhjen e platformës së biznesit të KIF-it do të marrim pjesë me një përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian. Kërkesa jonë është krijimi i një statusi të veçantë, që do t’i përfshinte shoferët profesionistë si punëtorë ekonomikë mobilë me rëndësi jetike”, tha Daniel Matrakoski nga Oda Ekonomike.
Matrakoski sqaroi se kjo zgjidhje mund të shoqërohet edhe me përdorimin e mekanizmave dypalësh, përfshirë vizat afatgjata të tipit D me vendet anëtare. Ai njoftoi gjithashtu se vështirësitë e transportuesve do të diskutohen në takimin e ardhshëm të ministrave të ekonomisë së rajonit, që do të zhvillohet të mërkurën në Mal të Zi.
“Në agjendë janë kërkesat që komuniteti i biznesit i përsërit vazhdimisht: eliminimi i barrierave administrative në tregti, zhbllokimi i qarkullimit të mallrave përmes zgjerimit të korridoreve të gjelbra, harmonizimi i plotë dhe njohja e ndërsjellë e dokumenteve tregtare dhe fitosanitare, si dhe afrimi gradual, por më i shpejtë, i kompanive tona me tregun e vetëm evropian përmes instrumenteve të Planit të Rritjes”, deklaroi Matrakoski./Shenja/
