Escobar në Austri, me përfaqësuesit e OSBE/ODIHR do të bisedojë edhe për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut

“Përfaqësuesi i Posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar udhëtoi drejt Austrisë, ku do të takohet me kancelarin e OSBE/ODIHR për të biseduar për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi, njoftojnë nga DASH.

Përveç në Austri, Escobari do të shkoj edhe në Belgjikë, Kosovë dhe Mal të Zi nga 10 deri 18 mars, raportoi Zëri i Amerikës.

“Vizita e tij do të konfirmojë përkushtimin e SHBA-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor në përpjekje për integrim euroatlantik dhe bashkëpunim më të thellë rajonal”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të shtetit.

Gjatë vizitës në Belgjikë, Escobari do të takohet me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian (BE) Mirosllav Lajçak dhe përfaqësues të tjerë të BE-së dhe NATO-s, për të biseduar për hapat për promovimin e reformave që do të sjellin paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe prosperitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në Kosovë, ndërkaq, ai do të takohet me liderët qeveritarë kosovarë, shoqërinë civile dhe komunitetet serbe të Kosovës për të nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme të SHBA-së për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tregon Departamenti i Shtetit.


Shtuar 11.03.2024 11:38