Si pasojë e motit të ligë që ka përfshirë vendin, Komuna e Çairit bëri të ditur se ekipet komunale, NP “Parqe dhe Gjelbërime”, Shtabi i Krizave dhe shërbimet e tjera kompetente ndodhen në terren, ku po e ndjekin nga afër gjendjen dhe po reagojnë në çdo pikë ku paraqitet nevoja.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit, të gjitha shërbimet do të qëndrojnë në dispozicion gjatë gjithë natës, me qëllim përballimin e pasojave të shkaktuara nga reshjet dhe erërat e forta.
Në njoftimin e plotë thuhet se, për shkak të motit të ligë që ka përfshirë Shkupin, ekipet e Komunës së Çairit, ekipet e NP “Parqe dhe Gjelbërime”, Shtabi i Krizave, si edhe shërbimet e tjera kompetente, janë angazhuar në terren dhe po veprojnë në koordinim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse, duke e monitoruar situatën dhe duke ndërhyrë kudo që kërkohet.
Po ashtu, komuna apelon që qytetarët të tregojnë kujdes, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara dhe të bashkëpunojnë me shërbimet kompetente. Qytetarët që vërejnë drunj të rrëzuar, degë të thyera ose pengesa të tjera në rrugë, ftohen t’i raportojnë në numrin 112, në mënyrë që ekipet të ndërhyjnë sa më shpejt.
Sipas njoftimit, ekipet ndodhen vazhdimisht në terren dhe janë duke punuar për sanimin e gjendjes dhe për ofrimin e ndihmës kudo që paraqitet nevoja, ndërsa theksohet se siguria e qytetarëve mbetet prioriteti kryesor.
Kujtojmë se, për shkak të reshjeve të shiut, situata paraqitet dukshëm e rënduar edhe në disa qytete të tjera. Deri tani janë raportuar përmbytje në disa zona, si edhe bllokime të disa kanaleve të ujrave atmosferikë dhe ujrave të zeza.

