Protestat, lëvizje e gjerë kundër korrupsionit dhe Edi Ramës/ Gazeta gjermane “Der Spiegel”: Zemërimi jo kundër Trump apo Kushner, por kundër klasës politike

Gazeta gjermane Der Spiegel, i ka kushtuar një artikull të gjatë protestave që po zhvillohen në Shqipëri, ku prej më shumë se një muaji kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Sipas gazetës, protesta e cila nisi kundër projektit të resortit luksoz në Zvërnec dhe ishullin e Sazanit, ku investitor është edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, tashmë ka marrë përmasa edhe më të mëdha, ku mijëra qytetarë shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë.

Të lidhura

None found

“Protestat janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit, oligarkisë dhe qeverisë së kryeministrit Edi Rama”, thuhet në shkrimin e gazetës gjermane.

Der Spiegel shkruan se “prej më shumë se një muaji mijëra qytetarë marshojnë rregullisht në rrugët e Tiranës, ndërsa në protesta dëgjohen thirrje kundër kryeministrit dhe mbahen pankarta me mesazhe ndaj tij”.

 

 

Sipas revistës, simbol i protestës është bërë flamingoja, si përfaqësim i mbrojtjes së lagunës së Nartës dhe zonës së Zvërnecit, ku planifikohet investimi prej rreth 4 miliardë dollarësh.

Në artikullin shterues theksohet se, “zemërimi i protestuesve nuk drejtohet kryesisht ndaj Jared Kushner apo Donald Trump, por ndaj klasës politike shqiptare. Në protesta dëgjohen thirrje për burgosjen si të kryeministrit Edi Rama, ashtu edhe të ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërsa shumë pjesëmarrës e konsiderojnë korrupsionin problemin kryesor të vendit”.

Der Spiegel, thekson se protesta ka bashkuar aktivistë mjedisorë, të rinj, pensionistë, përfaqësues të diasporës dhe qytetarë pa përkatësi politike, duke e cilësuar atë si mobilizimin më të madh qytetar në Shqipëri që nga fillimi i viteve 1990.

Revista ndalet edhe te reagimi i kryeministrit Rama, i cili ka mohuar akuzat për korrupsion dhe ka deklaruar se protestat po nxiten nga interesa të jashtme.


Shtuar 2.07.2026 07:42