Seanca e Komisionit për Sistem Politik u zhvillua në një klimë të tensionuar, teksa në rend dite ishin amendamentet për Propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Përplasjet nisën që te amendamenti i parë, përmes të cilit kërkohej të saktësohej se përfaqësimi i drejtë është detyrim që del nga Marrëveshja Kornizë dhe jo një akt vullneti të mirë nga ana e Qeverisë. Debati u përshkallëzua pasi zëvendëskryeministri Bekim Sali hodhi poshtë jo vetëm këtë propozim, por edhe amendamentet e tjera.
“Sinqerisht çuditem se si zëvendëskryeministri me kaq lehtësi thotë se amendamenti nuk pranohet, pa dhënë arsyetim pse. Jemi mësuar deri tani që t’i kaloni gjërat në këtë mënyrë. Problemi sot nuk është vetëm ky ligj, por të gjitha veprimet që keni bërë gjatë këtyre dy viteve. Nuk keni argumente të qarta për ta mbrojtur ligjin e Karakamishevës”, tha Diana Toska nga Fronti Europian.
Të lidhura
None found
Nga VLEN u tha se amendamentet e dorëzuara nuk prekin thelbin e çështjes, por kanë për synim të pengojnë miratimin e ligjit.
“Të gjitha amendamentet që janë propozuar nuk janë paraqitur për të gjetur zgjidhje dhe për të ofruar diçka më të mirë, por janë përpiluar në mënyrë të tillë që më pas ky ligj të mund të bllokohet, sepse ky është qëllimi juaj. Keni amendamente që janë plotësisht të dëmshme për qytetarët e këtij vendi, veçanërisht për shqiptarët”, u shpreh Imrlije Saliu Fetai nga VLEN.
Në debat ndërhyri edhe deputeti Ziadin Sela.
“Nëse merr diçka që nuk ka qenë ideale dhe e bën edhe më të keqe, pastaj thua se ju e keni bërë, kjo nuk më hyn në kokë. Bëjeni më mirë, po, keni mbështetjen time dhe të Zotit. Ata po hartojnë një ligj me të cilin do të pamundësohet që dikush që ka festuar së bashku me të tjerët të diskriminohet, ndërsa dikush tjetër të privilegjohet. Prandaj heshtni dhe mos flisni fare për këtë ligj”, deklaroi Ziadin Sela – Lidhja e Shqiptarëve.
Amendamente për këtë ligj paraqitën edhe Fatmir Bytyqi nga LSDM-ja, Monika Zajkova dhe Slavjanka Petrovska. Bytyqi vlerësoi se koncepti i përfaqësimit të drejtë nuk mund të kufizohet vetëm te numrat.
“Ky ligj flet për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, por nëse e lexojmë me kujdes, do të shohim se propozuesi është kënaqur tepër me formën dhe është marrë shumë pak me thelbin. Sikur të mjaftonte që institucioni të ketë një përqindje të caktuar ose një raport vjetor dhe të përfundojmë se kemi ndërtuar një shtet të drejtë”, theksoi Fatmir Bytyqi nga LSDM.
Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat pritet të zëvendësojë Balancuesin, i cili ishte shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese dy vjet më parë.
