Një turist 46-vjeçar nga Prishtina u përball me vështirësi në ujërat pranë Velipojës, pasi skafi me të cilin po lundronte pësoi një defekt dhe mbeti larg bregut.
Menjëherë pasi mori njoftimin, Policia Kufitare ndërhyri duke nisur kërkimet për të bërë të mundur gjetjen e mjetit lundrues.
Të lidhura
None found
Për shkak se në fillim nuk ishte e qartë vendndodhja e saktë e skafit, në operacion u angazhuan edhe operatorë turistikë të zonës.
Pas kërkimeve, skafi u lokalizua në thellësi të lumit Buna, rreth 32 kilometra nga grykëderdhja.
Sipas policisë, mjeti lundrues i tipit “Morea” drejtohej nga shtetasi A.B., 46 vjeç, banues në Prishtinë, i cili kishte mbetur në vështirësi si pasojë e një problemi në motor.
Shërbimet e Policisë Kufitare i ofruan ndihmën e nevojshme dhe mundësuan kthimin në siguri të tij dhe të skafit në vendstacionimin e mjeteve lundruese në Pulaj të Velipojës.
Policia Kufitare u bën thirrje qytetarëve dhe turistëve që në raste emergjente të telefonojnë numrin 112.
