Mbi pesë vatra zjarri në hapësira të hapura janë evidentuar gjatë ditës së sotme, por asnjëra nuk paraqet rrezik serioz dhe pritet të lokalizohet së shpejti. Kështu deklaroi nga terreni drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angellov.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave të Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), deri në orën 13:00 në territorin e vendit janë regjistruar gjithsej gjashtë zjarre në hapësira të hapura. Dy prej tyre vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa katër janë shuar.
Vatrat aktive ndodhen pranë fshatit Bërnjarc, në Komunën e Haraçinës, si dhe në vendbanimin Vollkovë, në Komunën e Gjorçe Petrov. Në të dyja rastet po digjet bimësi e ulët.
Ndërkohë, zjarret në fshatin Banjicë të Komunës së Çashkës, në fshatin Bidzevë të Komunës së Strugës, në fshatin Senakos të Komunës së Vrapçishtit dhe në deponinë e Dellçevës janë shuar, bëri të ditur QMK-ja.
Angellov njoftoi se gjatë ditës së djeshme ekipet kanë vënë nën kontroll më shumë se 25 zjarre në hapësira të hapura. Ndërhyrja më e vështirë u zhvillua në territorin e Komunës së Makedonski Brodit, pranë Samokovit.
“Zjarri hyri në një terren të vështirë për t’u aksesuar, ku ndërhynë një numër i madh zjarrfikësish nga Makedonski Brod dhe tre pincgauerë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim. Goditjen përfundimtare zjarrit ia dha shiu që ra në këtë zonë dje pasdite”, shpjegoi Angellov.
Një tjetër zjarr i përmasave më të mëdha u regjistrua dje në Komunën e Novacit, ku flakët përfshinë një sipërfaqe të gjerë toke të sheshtë. Zjarri u ndal dhe më pas u shua falë punës së zjarrfikësve, vetëqeverisjes lokale dhe fermerëve, të cilët kontribuuan me mekanizim.
Drejtori i DMSH-së shprehu mirënjohje për zjarrfikësit për reagimin e shpejtë, si dhe për qytetarët që kanë treguar vigjilencë. Ai paralajmëroi gjithashtu se ekzistojnë dëshmi për disa raste zjarresh të shkaktuara qëllimisht.
“U bëj thirrje qytetarëve të vazhdojnë të jenë të ndërgjegjshëm dhe të kujdesshëm që të mos shkaktojnë zjarr pa dashje. Çdo sjellje e dyshimtë duhet të raportohet në 112 ose në stacionin më të afërt të policisë”, tha Angellov.
Duke folur për furnizimin me ujë në Gostivar, Angellov tha se analizat e fundit kanë evidentuar përmirësim të cilësisë së ujit në krahasim me matjet e mëparshme. Megjithatë, sipas tij, duhet pritur edhe pak kohë përpara se uji të shpallet i sigurt për konsum.
