Ministri i Transformimit Dixhital, Stefan Andonovski, bëri të ditur zyrtarisht se aplikacioni i ri për telefona celularë, m.Uslugi, do të prezantohet në tetor.
Të lidhura
None found
“Mund të konfirmoj zyrtarisht se gjatë tetorit do të organizojmë një ngjarje për promovimin e aplikacionit celular ‘m.Uslugi’. Në të do të jenë të disponueshme karta e identitetit dhe patenta e shoferit në version elektronik, së bashku me dy shërbime elektronike për qytetarët”, deklaroi Andonovski.
Aplikacioni m.Uslugi do t’u mundësojë qytetarëve që, nga një vend i vetëm, të përdorin dokumentet personale në format dixhital dhe të kenë qasje në shërbimet elektronike të administratës. Synimi është që shërbimet shtetërore të jenë më të qasshme dhe përdorimi i tyre të thjeshtohet përmes telefonit celular.
Sipas ministrit, gjatë periudhës së kaluar është punuar intensivisht për sigurinë kibernetike, mbrojtjen dhe ruajtjen e të dhënave personale, si dhe për shkëmbimin e tyre me Ministrinë e Punëve të Brendshme, institucion që i zotëron këto të dhëna.
“Ndodhemi në etapën e fundit të harmonizimit dhe nënshkrimit të protokollit për shkëmbimin e të dhënave, ndërsa paralelisht po testohet edhe aplikacioni. Para se të vihet në dispozicion të të gjithëve, duam të sigurohemi se sistemi është i qëndrueshëm, i mbrojtur dhe i thjeshtë për përdorim.
Aplikacioni do të mund të shkarkohet nga App Store dhe Google Play. Deri tani, versioni testues është shkarkuar nga rreth 6.000 qytetarë”, tha Andonovski.
