Studimi! Ushqimet e përpunuara rrisin rrezikun ndaj kancerit

Ushqimet e përpunuara si drithërat që përgatisni mëngjesin, picat e ngrira apo ushqime të tjera të gatshme e pijet me gaz, mund të rrisin rrezikun që të prekeni nga kanceri. Sipas studiuesve, rreziku rritet më shumë për shfaqjen e kancerit ovarian apo atij të trurit.

Shumë prej produkteve që ne konsumojmë i nënshtrohen një lloj përpunimi, si djathi, gjalpi i kripur i kikirikut dhe salcat e pastave, por ushqimet e “ultra-përpunuara”, kanë më shumë përbërës jo natyralë në përbërjen e tyre.

Këtu përfshihen edhe shijet artificiale, ngjyruesit, ëmbëlsuesit dhe konservuesit. Kërkuesit në Shkollën e Shëndetit Publik të Kolegjit Imperial në Londër ndoqën dietat e thuajse 200 mijë të rriturve në moshë të mesme për një periudhë 10-vjeçare në Britaninë e Madhe.

Ata arritën në përfundimin se konsumi i produkteve ushqimore që janë shumë të përpunuara është i lidhur me rritjen e rrezikut të prekjes nga kanceri në përgjithësi dhe specifikisht nga kanceri ovarian dhe ai i trurit. Po ashtu, edhe rreziku i vdekjes nga kanceri rritej nga konsumi i këtyre produkteve.

Nga 197.426 individë që morën pjesë në studim, rreth 15.921 prej tyre u diagnostikuan me kancer dhe u regjistruan po ashtu 4009 vdekje të lidhura me kancerin.

Është ende e paqartë se përse është vënë re një rritje veçanërisht e lartë e incidencës për kancerin e vezoreve, por studime të tjera kanë gjetur lidhje mes sëmundjeve tumorale dhe “acrylamide-“, një kimikat industrial i formuar gjatë proceseve të gatimit në temperaturë të lartë.


Shtuar 21.03.2023 21:38