Duke parë pas në vitet e prindërimit, pjesëtarë të Gjeneratës X pranojnë se sot do të vepronin ndryshe në disa drejtime. Fëmijët e tyre u rritën mes shndërrimeve të mëdha shoqërore dhe teknologjike dhe, megjithëse këta prindër bënë atë që mendonin se ishte më e mira, me kohën kuptuan se disa çështje i kishin trajtuar me mbrojtje të tepruar, ndërsa të tjerave nuk u kishin dhënë vëmendjen e duhur, shkruan YourTango.
Portali rendit shtatë ndryshime që prindërit e kësaj gjenerate do të bënin nëse do të kishin mundësinë t’i rritnin fëmijët nga e para.
Të lidhura
None found
Më shumë biseda të sinqerta për financat
Në familjet ku u rritën shumë pjesëtarë të Gjeneratës X, çështjet financiare diskutoheshin rrallë. Të njëjtën heshtje ata e ruajtën më pas edhe me fëmijët e tyre. Tashmë mendojnë se edukimi për administrimin e parave duhej të kishte nisur më herët. Një mundësi e dytë do t’i shtynte të diskutonin më shpesh për kursimet, buxhetin familjar, borxhet dhe vendimet e gabuara financiare. Sipas tyre, këto biseda do t’i kishin përgatitur më mirë fëmijët për t’i përballuar çështjet financiare në jetën e rritur.
Më shumë hapësirë për të vepruar në mënyrë të pavarur
Fëmijëria e shumë prindërve të Gjeneratës X përfshinte orë të gjata jashtë shtëpisë, pa praninë mbikëqyrëse të të rriturve. Megjithatë, pasi krijuan familjet e tyre, shumë prej tyre ndoqën drejtimin e kundërt, duke tentuar të mbikëqyrnin thuajse gjithçka në jetën e fëmijëve. Sot vlerësojnë se do të kishte qenë më e drejtë të ndërthurnin sigurinë me lirinë për të eksploruar vetë, për të bërë zgjedhje dhe për të nxjerrë mësime nga gabimet.
Më pak planifikim të çdo ore të lirë
Për shumë fëmijë të Gjeneratës Z, dita ishte e ngarkuar me angazhime shkollore dhe veprimtari jashtë shkollës. Duke menduar se kështu po krijonin kushtet më të mira për zhvillimin e tyre, prindërit synonin të mos linin asnjë pjesë të ditës pa një aktivitet. Disa prej tyre sot ndiejnë keqardhje që nuk lanë më shumë hapësirë të lirë. Ata do t’u kishin dhënë fëmijëve mundësinë të përjetonin herë pas here edhe mërzinë, të vendosnin vetë me çfarë të merreshin dhe të mësonin si t’i organizonin përgjegjësitë.
Më shumë vëmendje edhe ndaj jetës personale
Përkushtimi ndaj fëmijëve bëri që shumë prindër të Gjeneratës X të linin mënjanë pasionet, interesat dhe synimet personale. Dëshira për të qenë më të pranishëm sesa kishin qenë prindërit e tyre shpesh i shtyu të shpërfillnin nevojat e veta.
Nga këndvështrimi i sotëm, ata do të kishin ruajtur një hapësirë të jetës që nuk përqendrohej te roli i prindit. Mendojnë se kjo do t’i kishte bërë më të lumtur dhe, njëkohësisht, do t’u kishte shërbyer fëmijëve si shembull për rëndësinë e interesave personale, raporton Index.hr, transmeton Klankosova.tv.
Më pak ankth për gabimet e fëmijëve
Kujtimet e zgjedhjeve të gabuara gjatë rinisë i bënë shumë prej këtyre prindërve të shqetësoheshin se fëmijët do të ndiqnin të njëjtën rrugë. Në disa raste, kjo frikë u shndërrua në kufizime të forta, mbikëqyrje të pandërprerë dhe nevojë për të kontrolluar gjithçka.
Nëse do ta nisnin sërish, thonë se do t’i jepnin më shumë vend besimit te fëmijët dhe më pak frikës personale. Në vend të përpjekjeve për t’u paraprirë vazhdimisht problemeve, do të punonin për një marrëdhënie ku fëmijët të ndiheshin të lirë të tregonin hapur për gabimet e tyre.
Më shumë mundësi që fëmijët t’i zgjidhnin vetë vështirësitë
Për t’i kursyer nga zhgënjimet dhe situatat e pakëndshme, prindërit shpesh merrnin përsipër zgjidhjen e problemeve të fëmijëve. Disa sot e shohin këtë ndërhyrje si diçka që nuk u ka shërbyer atyre. Sipas tyre, fëmijët duhej të kishin pasur më tepër raste për ta përballuar vetë frustrimin, pasigurinë dhe dështimin, sepse pikërisht këto përvoja ndihmojnë në ndërtimin e pavarësisë dhe të qëndrueshmërisë.
Kufij më të fortë për teknologjinë
Kontrolli i kujdesshëm mbi vendet ku luanin fëmijët dhe njerëzit me të cilët shoqëroheshin nuk shoqërohej gjithmonë me të njëjtën vëmendje ndaj internetit. Shumë prindër u jepnin fëmijëve mundësi ta përdornin atë pothuajse pa kufizime.
Në atë periudhë, mjedisi dixhital ishte ende relativisht i ri dhe njohja e prindërve me rreziqet e tij të mundshme mbetej e pamjaftueshme. Sot ata do të ndiqnin me më shumë kujdes sa kohë kalonin fëmijët para ekraneve, çfarë përmbajtjesh shihnin dhe sa të sigurt ishin gjatë përdorimit të internetit.








