A keni aspirata për t’u ngritur në një rol drejtues në kompaninë tuaj? Ose ndoshta ju thjesht dëshironi të krijoni një reputacion më të mirë për veten tek kolegët që t’ju shikojnë si një prej punonjësve më të zellshëm. Nëse e gjeni veten te njëri prej skenarëve të mësipërm, atëherë një studim i kryer nga Universiteti i Floridës ju jep një këshillë të re se si ta filloni ditën.
Studiuesit thonë se nëse shpenzoni vetëm disa minuta kohë në mëngjes për të menduar për sukseset që keni arritur në të kaluarën, kjo do t’ju vijë në ndihmë për të qenë një punonjës sa më efektiv. Edhe nëse do t’ju duket si një gjë lehtësisht e arritshme, mos u çudisni, shpeshherë gjërat e thjeshta janë edhe ato që kanë më shumë rezultat.
“Është më e thjeshtë sesa mund të duket. Në mëngjes teksa jeni duke pirë kafenë tuaj, ju mund të reflektoni disa minuta se si do të ishit ju si lider, ose cilin shembull lideri do merrnit në konsideratë për të ndjekur”, shprehet Remy Jennings, një student doktorature në Kolegjin Warrington të Universitetit të Biznesit në Florida dhe një prej autorëve të këtij studimi. Si qenie njerëzore, ne të gjithë jemi të bekuar me aftësinë për vetëreflektim. Ne mund të reflektojmë duke menduar mbi gabimet dhe sukseset tona dhe të përqendrohemi tek elementet që na ndihmojnë për të vazhduar më tej përpara.
Pak minuta reflektim në orët e para të mëngjesit mbi mënyrën se si keni vepruar në të kaluarën dhe si doni të veproni në të ardhmen, është një prej mënyrave më të mira për ta nisur ditën me këmbën e djathtë.
“Lidershipi është vërtet sfidues, prandaj shumë njerëz hezitojnë të pranojnë role të tilla drejtuese”, shton bashkautorja tjetër e studimit, prof. Klodiana Lanaj. Reflektimi për disa minuta në mëngjes me të vërtetë bën ndryshimin e shumëkërkuar”.
Nga kjo metodë reflektimi mund të përfitojnë të gjithë ata që duan të jenë të suksesshëm në fushën e tyre, pavarësisht faktit nëse duan apo jo të bëhen CEO. Lidershipi vjen në shumë forma.
Kjo metodë nuk ka të bëjë me suksesin e kompanisë, por me vlerësimin e vetes çdo ditë. Përqendroni mendimet dhe energjinë tuaj në këtë qasje dhe do ta shikoni se do të jeni një punonjës më i sigurt dhe më i dobishëm, pavarësisht pozicionit tuaj.
Për njerëzit që shpresojnë që një ditë të bëhen menaxherë dhe drejtues, ky ushtrim reflektimi është një mënyrë e mirë për të filluar me ritmin e duhur.
Ju nuk keni pse prisni të ngriheni në detyrë për të vepruar si një lider. Vendoseni me veten dhe filloni të veproni që në këtë moment si një i tillë. Rrjedhimisht, veprimet tuaja do të sjellin edhe mundësitë që ju kërkoni, shpjegon më tej Jennings.
Nëse edhe do të vendosni të ndiqni këtë metodë reflektimi, autorët e studimit këshilljnë të filloni t’i bëni vetes këto pyetje:
• Cilat janë disa nga momentet e mia më të suksesshme si lider?
• Cilat cilësi më bëjnë një lider të mirë (ose do të më bëjnë në të ardhmen)?
• Çfarë marrëdhënie keni krijuar me stafin tuaj? A doni të motivoni? Frymëzoni? I ndihmoni ata të rrisin aftësitë e tyre?
“Kjo është një metodë për të qenë më efektiv në punë”, përfundoi znj. Lanaj. “Vetëm disa minuta mund të ndryshojnë plotësisht fokusin tuaj për pjesën tjetër të ditës”. Edhe nëse jeni skeptikë, provojeni këtë qasje për disa minuta në një prej mëngjeseve tuaja dhe do ta shikoni vetë rezultatin.