Shtypja e përsëritur e butonit të ashensorit nuk është gjithmonë thjesht shenjë padurimi. Ky veprim mund të na japë ndjesinë se po ndikojmë në situatë dhe ta bëjë kohën e pritjes të duket më e shkurtër.
Të lidhura
None found
Shumë njerëz e shtypin disa herë butonin e thirrjes së ashensorit ose atë të mbylljes së dyerve, edhe kur drita tregon se komanda është aktivizuar. Megjithëse ky veprim zakonisht nuk e ndryshon shpejtësinë e procesit, ai lidhet me nevojën njerëzore për të ndier se kemi kontroll.
Kjo sjellje është vërejtur dhe studiuar prej dekadash. Në pamje të parë mund të duket sikur personi nuk toleron dot as një vonesë prej pak sekondash, por pas saj qëndron një dukuri psikologjike e njohur si “iluzioni i kontrollit”.
Psikologia Ellen Langer e përshkroi këtë fenomen në vitin 1975. Bëhet fjalë për prirjen e njerëzve për të besuar se mund të ndikojnë në rezultate ose ngjarje që, në realitet, nuk varen prej tyre.
Në një eksperiment, pjesëmarrësit blenë bileta lotarie. Ata që kishin zgjedhur vetë biletën mendonin se ajo kishte më shumë vlerë sesa biletat e marra rastësisht, ndonëse të gjithë pjesëmarrësit kishin të njëjtat mundësi për të fituar.
Sipas Langerit, edhe një veprim i vogël mund të krijojë përshtypjen se situata është në duart tona. Kjo rrit sigurinë dhe pakëson ndjesinë e pafuqisë, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, në disa ndërtesa butoni i mbylljes së dyerve mund të mos jetë funksional për përdoruesit. Rregullat e sigurisë dhe të qasshmërisë kërkojnë që dyert të qëndrojnë hapur për një periudhë të caktuar, në mënyrë që personat me aftësi të kufizuara ose ata që përdorin paterica të mund të hyjnë pa rrezik.
Një mekanizëm i ngjashëm mund të ekzistojë edhe te disa butona në vendkalimet për këmbësorë apo te termostatet e ndërtesave të punës. Edhe kur ndikimi i tyre është i vogël ose i kufizuar, përdorimi i tyre u jep njerëzve ndjesinë se po ndërmarrin një veprim.
Eksperti i menaxhimit të pritjes, David Maister, ka shpjeguar se koha kalon më shpejt kur jemi të angazhuar me diçka, krahasuar me momentet kur vetëm presim.
Maister ka sjellë shembullin e një hoteli që përballej me ankesa të shumta për ashensorët e ngadaltë. Në vend që të zëvendësonte pajisjet, hoteli vendosi pasqyra në holl. Vizitorët nisën të merreshin me pamjen e tyre dhe jo me numërimin e sekondave, ndaj ankesat pothuajse u zhdukën.
Një efekt të ngjashëm pati edhe prania e një infermiereje në një ambulancë, e cila i priste menjëherë pacientët. Koha deri te takimi me mjekun nuk u shkurtua, por pacientët mendonin se kishin pritur më pak, sepse procedura kishte nisur.
E njëjta logjikë shfaqet kur shtypim vazhdimisht butonin e telekomandës, kontrollojmë disa herë gjurmimin e një porosie ose rifreskojmë pa pushim një faqe interneti. Edhe pse e dimë se këto veprime nuk e përshpejtojnë rezultatin, ato na japin ndjesinë se po bëjmë diçka konkrete.
Sipas Ellen Langerit, zakonisht nuk ka arsye për t’u shqetësuar për këto sjellje. Ato janë veprime të vogla, nuk dëmtojnë askënd dhe mund ta bëjnë ndjenjën e pafuqisë më të lehtë për t’u përballuar gjatë pritjes.
Dyert e ashensorit do të hapen ose do të mbyllen në kohën e përcaktuar. Shtypjet e përsëritura nuk e ndryshojnë këtë, por mund të na ndihmojnë të ndiejmë se ato pak sekonda po kalojnë më lehtë.
