Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Fondi Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për Emergjencën e Fëmijëve paralajmëruan për një rrezik në rritje të përhapjes së fruthit. Sipas këtyre organizatave, në dy muajt e parë të këtij viti, u raportuan 17,338 raste të fruthit në mbarë botën, një rritje e konsiderueshme krahasuar me 9,665 raste gjatë dy muajve të parë të 2021.
Ekspertët theksojnë se dërprerjet e lidhura me pandeminë, rritja e pabarazive në aksesin ndaj vaksinave dhe devijimi i burimeve nga imunizimi rutinë po lënë shumë fëmijë pa mbrojtje kundër fruthit dhe sëmundjeve të tjera të parandalueshme nga vaksinat.
Njëzet e tre milionë fëmijë në mbarë botën humbën vaksinat e fëmijërisë në vitin 2020, thanë organizatat. Fushatat e vaksinimit të fëmijëve janë penguar kohët e fundit nga pandemia Covid-19 dhe konfliktet në Ukrainë, Etiopi, Somali dhe Afganistan.
Mjekja Shannon Stokley, zëvendës drejtore e imunizimit të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve shprehu shqetësimin se vaksinat rutinë të humbura mund t’i lënë fëmijët të prekshëm ndaj sëmundjeve të parandalueshme si fruthi dhe kolla e mirë, të cilat janë jashtëzakonisht ngjitëse dhe mund të jenë shumë serioze, veçanërisht për foshnjat dhe fëmijët e vegjël.